Akuza tronditëse: Rama organizoi dhe urdhëroi hakerimin e SPAK!
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një konferencë për mediat, ka hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se ai është autori i vërtetë që ka organizuar dhe urdhëruar hakërimin e sistemit të Prokurorisë së Posaçme (SPAK).
Sipas Berishës, ekzistojnë tashmë dokumente konkrete që, sipas tij, provojnë përfshirjen direkte të kryeministrit në këtë ngjarje të rëndë, të cilën e cilësoi si një nga krimet më të rënda ndaj shtetit ligjor.
“Sot paraqes faktin tronditës, dokumentin që dëshmon se kreu i organizatës kriminale Edi Rama, njëheraz padrino i të gjithë mafies shqiptare, është autori i vërtetë që ka organizuar dhe urdhëruar hakërimin e SPAK dhe dosjeve në SPAK”, u shpreh Berisha.
Gjatë fjalës së tij, Berisha theksoi se më herët kishte denoncuar publikisht këtë çështje edhe pa pasur dokumente në dorë, por tashmë, sipas tij, faktet janë të qarta dhe të provuara.
“Besoj se edhe unë e kam denoncuar pa pasur asnjë dokument dhe u kam deklaruar këtu se përfitues nga hakerimi ka qenë Edi Rama, një gjykatës, Ergys Agasi, dhe unë e kam listën aty se kush kanë qenë porositësit e tyre”, deklaroi ai.
Më tej, Berisha u ndal te një element që sipas tij është vendimtar, duke pohuar se një nga personat e përfshirë në çështje kishte komunikim të drejtpërdrejtë me kryeministrin.
“Tani del fakt. Nuk ka asnjë rëndësi se Arnold Rrokaj do t’i raportonte direkt Ramës. Pra, kishte numrin e kryeministrit dhe do i jepte sihariqin e parë atij për faqet që kishin hakeruar”, tha Berisha.
Sipas kreut të PD-së, kjo ngjarje përbën një krim jashtëzakonisht të rëndë dhe një implikim madhor të kryeministrit në një akt kriminal që synon kontrollin e drejtësisë.
“Ky përbën një nga krimet më të shëmtuara dhe më të rënda. Ky është implikim madhor i Edi Ramës dhe unë kërkoj dorëheqjen e tij urgjente”, u shpreh ai.
Berisha iu drejtua gjithashtu qytetarëve, duke i ftuar të reflektojnë mbi, sipas tij, rrezikun që i kanoset shtetit të së drejtës.
“Të dashur qytetare dhe qytetarë, shikoni se si kreu i organizatës kriminale të ekzekutivit shqiptar kërkonte të vidhte dokumentet sekrete të hetimit, vetëm e vetëm që të mund të kontrollonte këtë proces në mënyrat e tij”, tha Berisha.
Në përfundim, ai dënoi ashpër këtë akt dhe përsëriti thirrjen për largimin e menjëhershëm të kryeministrit nga detyra.
“E dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë akt kriminal. Edhe njëherë kërkoj largimin e menjëhershëm nga detyra të kryeministrit. Sikundër u bëj thirrje shqiptarëve të marrin në dorë fatet e ligjit dhe Kushtetutës në këtë vend, sepse Edi Rama po kërkon t’i shkelmojë, t’i nënçmojë dhe t’i përdorë ato për qëllime krejtësisht kriminale të vetat”, përfundoi Berisha.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



