Aksident tragjik në Durrës, arrestohet shoferi i mjetit Arbër Xhaxhaj
Policia e Durrësit ka vënë në pranga 26-vjeçarin Arbër Xhaxhaj, i cili dyshohet se drejtonte automjetin në gjendje të dehur, duke shkaktuar një aksident tragjik në zonën e Urës së Dajlanit, ku humbi jetën pasagjerja 18-vjeçare, Vikena Greku.
Sipas të dhënave, mjeti tip BMW po lëvizte me shpejtësi të lartë kur drejtuesi humbi kontrollin, u përplas me barrierën ndarëse të rrugës, e theu atë dhe më pas automjeti ra nga mbikalimi, duke u përplasur rreth 30 metra më poshtë. Si pasojë e rënies, makina përfundoi brenda një dyqani që tregtonte lule.
Pas ngjarjes, shërbimet e Policisë Rrugore kryen menjëherë veprimet hetimore për të zbardhur rrethanat e aksidentit. Në përfundim të tyre, u bë arrestimi në flagrancë i drejtuesit të mjetit, i cili do të përballet me akuzat për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë vdekjen, si edhe drejtim të automjetit në mënyrë të parregullt.
Nga hetimet paraprake ka rezultuar se 26-vjeçari ka qenë nën efektin e alkoolit në momentin e aksidentit, çka ka ndikuar drejtpërdrejt në humbjen e kontrollit të automjetit.
Aktualisht, i riu ndodhet nën kujdesin e mjekëve dhe raportohet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa dy këmbësorë që u dëmtuan lehtë kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe janë larguar drejt banesave të tyre.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



