E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Pronarët u paralajmëruan, kush e dekonspiroi operacionin e SPAK
Lajme

Pronarët u paralajmëruan, kush e dekonspiroi operacionin e SPAK

Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka zbardhur detaje të reja mbi operacionin e zhvilluar në Tiranë kundër disa call center-ëve, të cilët dyshohet se përdoreshin për mashtrimin e shtetasve të huaj, kryesisht nga Italia.

Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, aktiviteti i paligjshëm zhvillohej në ambientet e godinës “Atti Tower”, në rrugën “Ibrahim Rugova”, ku operatorët kontaktonin qytetarë italianë dhe i bindnin të investonin në platforma fiktive të kriptomonedhave, duke u premtuar fitime të shpejta dhe të sigurta.

Hetimi është vënë në lëvizje më 9 janar 2026, pas dorëzimit të provave nga gazetarë të emisionit investigativ italian “Le Iene”, që transmetohet në Mediaset. Procedimi penal u mbështet gjithashtu nga denoncimet e disa qytetarëve italianë, të cilët deklaruan se kishin humbur shuma të konsiderueshme parash përmes kësaj skeme.

Gazetarët italianë arritën të depërtonin në brendësi të call center-it duke infiltruar një shtetas italian, i cili punoi aty dhe dokumentoi nga afër mënyrën se si funksiononte mekanizmi i mashtrimit.

Si funksiononte skema

SPAK sqaron se punonjësit telefononin viktimat dhe i orientonin drejt transferimit të parave në formë kriptomonedhash. Në vend që investimet të shkonin në platforma reale, fondet përfundonin në llogari virtuale të administruara nga organizatorët e aktivitetit kriminal.

Hetimet kanë zbuluar se ambientet monitoroheshin në mënyrë të vazhdueshme, si me kamera sigurie ashtu edhe nga persona të vendosur jashtë godinës, me qëllim sinjalizimin e çdo rreziku të mundshëm nga autoritetet.

Paralajmërimi dhe zhdukja e provave

Në deklaratën zyrtare thuhet se mbrëmjen e 15 janarit 2026, drejtuesit e call center-it dyshohet se janë paralajmëruar për një kontroll të mundshëm. Si pasojë, gjatë orëve të natës, ambientet në “Atti Tower” janë boshatisur dhe pajisjet teknologjike janë zhvendosur me shpejtësi.

Në orët e para të mëngjesit të 16 janarit, hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit arrestuan në flagrancë gjashtë persona, teksa po transportonin pajisje kompjuterike drejt një tjetër ambienti në Bulevardin “Bajram Curri”. Një pjesë e pajisjeve, sipas SPAK, po tentoheshin të asgjësoheshin.

Më vonë, autoritetet ndaluan edhe dy persona të tjerë të dyshuar për përfshirje në aktivitet, ndërsa janë shpallur në kërkim tre persona, mes tyre vëllezërit Alfred, Agim dhe Arjan Prekaj.

SPAK bën me dije se Alfred Prekaj rezulton pronar i kompanisë “Balkanspro”, e regjistruar për shërbime call center dhe telemarketing.

Në kuadër të operacionit janë arrestuar gjashtë persona me inicialet R.Gj., D.Q., E.Gj., E.M., R.P. dhe O.K.

Sekuestrimet

Gjatë kontrolleve të ushtruara në 28 ambiente të ndryshme, përfshirë banesa, zyra, automjete dhe garazhe, janë sekuestruar qindra pajisje elektronike, serverë, telefona celularë, laptopë, karta SIM, dokumente, sisteme kamerash sigurie si dhe automjete. Mes pasurive të sekuestruara ndodhet edhe një automjet luksoz i markës Ferrari, që dyshohet se përdorej nga organizatorët e skemës.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.