Afera e AKSHI-t, skandali më i madh në 35 vjet
Kikia: Nuk është thjesht korrupsion, ka goditur themelet e shtetit
Pavarësisht se sistemi i self-care ka nisur të vihet gradualisht në funksion për bizneset, problematikat vijojnë të mbeten të shumta, duke rikthyer në qendër të debatit publik Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Tema u diskutua gjerësisht në emisionin “Drejt”, ku u ngritën shqetësime serioze mbi pasojat e asaj që po cilësohet si një nga aferat më të rënda në historinë e shtetit shqiptar.
Analisti dhe gazetari Mentor Kikia e përshkroi skandalin e lidhur me AKSHI-n si goditjen më të madhe që Shqipëria ka përjetuar në 35 vitet e saj post-komuniste, duke theksuar se bëhet fjalë për diçka shumë më të gjerë sesa një aferë klasike korrupsioni.
Sipas Kikias, kjo çështje nuk prek vetëm qeverisjen aktuale, edhe pse ndodh në vitin e parë të mandatit të katërt të socialistëve, por përfaqëson një precedent të rrezikshëm për gjithë funksionimin e shtetit. Ai nënvizoi se afera e AKSHI-t shfaq pasoja të thella në të paktën pesë dimensione madhore, të gjitha po aq të rënda për shoqërinë dhe sigurinë kombëtare.
“Zakonisht, një aferë korruptive ka dy pasoja kryesore: dëmin financiar dhe uljen e cilësisë së shërbimit apo investimit. Në rastin e AKSHI-t, situata është krejt tjetër. Këtu kemi të bëjmë me një histori shumëdimensionale”, u shpreh Kikia.
Dimensioni i parë, sipas tij, është ai i tenderëve dhe korrupsionit klasik, ku krijohen grupe kompanish të privilegjuara që përfitojnë fonde publike dhe ndajnë pazare me pushtetin. Por ajo që e bën këtë aferë të paprecedentë është fakti se, për herë të parë, sipas Kikias, kemi konfirmim të bashkëpunimit të strukturave shtetërore me elementë të krimit të organizuar.
Ai iu referua akuzave të opozitës për lidhjet mes qeverisë dhe organizatave kriminale, të cilat për një kohë të gjatë ishin konsideruar si “legjenda urbane”, por që tashmë, sipas tij, janë konfirmuar me zë dhe figurë, duke shkaktuar tronditje të fortë në opinionin publik.
Një tjetër pasojë serioze lidhet me dështimin praktik të shtetit digjital. Kikia theksoi se mania për të digjitalizuar gjithçka, pa kapacitete reale dhe pa plane rezervë, ka sjellë bllokimin e shërbimeve jetike për qytetarët. Ai e krahasoi situatën me një shtëpi që ka vetëm një derë automatike: në momentin që mungon energjia, mbetesh jashtë.
“Sot, kjo derë automatike është mbyllur. Të gjitha dokumentet, të dhënat dhe shërbimet janë brenda sistemeve, ndërsa qytetarët nuk dinë ku të drejtohen”, tha ai.
Sipas Kikias, dimensioni më alarmues i gjithë kësaj historie është prekja direkte e sigurisë kombëtare. Ndryshe nga aferat e zakonshme që prodhojnë vetëm dëm ekonomik, në rastin e AKSHI-t bëhet fjalë për administrimin dhe mbrojtjen e të dhënave sensitive të shtetit dhe qytetarëve.
Ai kujtoi edhe episodet e mëparshme të sulmeve kibernetike, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi nivelin real të sigurisë dhe transparencës: “Sot nuk dimë ende çfarë ka ndodhur realisht, kush i ka prekur sistemet dhe në çfarë përmasash”.
Në përfundim, Kikia e cilësoi aferën e AKSHI-t si një alarm kombëtar, që shkon përtej përgjegjësive politike të momentit dhe ngre pikëpyetje themelore për funksionimin e shtetit, sigurinë e të dhënave dhe besimin e qytetarëve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



