Surprizë në protestën e Lapajt, deputeti i PD shfaqet mes turmës (Foto)
Lëvizja “Shqipëria Bëhet”, e drejtuar nga Adriatik Lapaj, ka zbritur sot në protestë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përballë Kryeministrisë. Tubimi po zhvillohet në kuadër të thirrjeve kundër qeverisë dhe aferave të denoncuara në nivelet e larta të pushtetit.
Në mesin e protestuesve është vënë re edhe prania e deputetit të Partisë Demokratike, Besart Xhaferri. Siç dëshmojnë pamjet nga vendngjarja, ai është bashkuar me qytetarët që i janë përgjigjur thirrjes së Lapajt për protestë.

Pjesëmarrja e deputetit demokrat bie në sy, duke pasur parasysh se protesta është organizuar nga një lëvizje jashtë strukturave tradicionale të opozitës parlamentare. Tubimi ka në fokus kundërshtimin e qeverisjes dhe akuzat për skandale që përfshijnë zëvendëskryeministren dhe ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku.

Kujtohet se më herët Adriatik Lapaj ka refuzuar publikisht ftesën e kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, për krijimin e një fronti të përbashkët opozitar kundër qeverisë, duke theksuar distancimin e lëvizjes së tij nga aleancat politike tradicionale.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



