E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Arrestohet në Medellín bosi i mafias italiane, Roberto Nastasi
Lajme

Arrestohet në Medellín bosi i mafias italiane, Roberto Nastasi

Policia kolumbiane, me mbështetjen e Interpol, njoftoi sot arrestimin e Roberto Nastas-it, i konsideruar si një nga figurat kyçe të mafias italiane dhe i lidhur me organizatën famëkeqe kalabreze ’Ndrangheta.

Sipas autoriteteve, Nastasi u kap në qytetin e Medellínit, një zonë e njohur historikisht për aktivitet të fortë të grupeve kriminale dhe trafikut ndërkombëtar të drogës. Ai dyshohet se ka vepruar si urë lidhëse mes rrjeteve të trafikut të kokainës në Amerikën Latine dhe strukturave mafioze në Itali.

Kryebashkiaku i Medellínit, Federico Gutiérrez, deklaroi se Nastasi lëvizte lirshëm në qytet falë “mbrojtjes së organizatave kriminale”, ndërsa kishte krijuar edhe lidhje personale në zonë, përfshirë një marrëdhënie romantike me një grua nga një qytet fqinj. Sipas tij, kjo i kishte ndihmuar të qëndronte nën radar për një periudhë të gjatë.

Hetimet tregojnë se ai kishte lidhje të drejtpërdrejta me kartelin kolumbian Clan del Golfo, një nga organizatat më të fuqishme kriminale në Kolumbi, e përfshirë në trafik droge, armësh dhe pastrim parash. Autoritetet kolumbiane besojnë se Nastasi ishte “nyja kryesore” që lidhte furnizimin me kokainë nga Amerika Latine me rrjetet e shpërndarjes në Itali dhe më gjerë në Europë.

Operacioni për arrestimin e tij u zhvillua pas një bashkëpunimi disa mujor mes strukturave të inteligjencës kolumbiane dhe agjencive ndërkombëtare të zbatimit të ligjit. Burime zyrtare bëjnë me dije se ndaj Nastas-it rëndojnë akuza për trafik ndërkombëtar droge, pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe pastrim parash.

Autoritetet pritet të nisin procedurat për ekstradimin e tij drejt Italisë, ku ai kërkohej nga drejtësia si një nga drejtuesit e strukturave të larta të mafias kalabreze.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.