Kaos në Librazhd–Qafë Thanë, qarkullimi vijon me probleme
Aksi mbetet i rrezikshëm për mjetet e tonazhit të rëndë, autoritetet apel për kujdes
Problemet me qarkullimin vijojnë edhe sot në aksin rrugor Librazhd–Qafë Thanë, pranë fshatit Dragostunjë, ku lëvizja e automjeteve kryhet me vështirësi për shkak të rënies së gurëve nga faqja e malit.
Qarkullimi aktualisht bëhet vetëm në një korsi e gjysmë, pasi një gur i madh ende nuk është zhvendosur plotësisht nga trupi i rrugës.
Në këtë segment rrugor mund të shkëmbehen vetëm dy automjete të vogla, ndërsa mjetet e tonazhit të rëndë nuk mund të kalojnë, duke krijuar radhë dhe vonesa të konsiderueshme.
Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve që të lëvizin me kujdes të shtuar, për shkak të rrezikut të rrëshqitjeve të tjera.
Ditën e djeshme, aksi u mbajt i bllokuar për rreth 8 orë, ndërsa ekipet e emergjencës dhe ato të mirëmbajtjes rrugore punuan intensivisht për të shembur pjesë të faqes së malit, me qëllim eliminimin e rrezikshmërisë pas hapjes së qarkullimit.
Gjatë bllokimit, gra, fëmijë dhe të moshuar mbetën për orë të tëra të izoluar në rrugë. Policia rekomandoi përdorimin e aksit alternativ Maliq–Lozhan–Moglicë–Gramsh–Elbasan për udhëtimet drejt Tiranës.
Situata u përkeqësua edhe më shumë për faktin se bllokimi përkoi me ditën e diel, kur qindra pushues po ktheheshin nga zonat juglindore të vendit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



