Shehaj: Vendimi për Ballukun HISTORIK, rradhën e ka Rama
Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, e ka cilësuar si një moment historik vendimin e Gjykatës Kushtetuese që la në fuqi pezullimin e Belinda Ballukut nga detyra.
Në një reagim publik në rrjetet sociale, Shehaj u shpreh se vendimi shënon një kthesë të rëndësishme, duke theksuar se nga ky moment zv/kryeministrja e pezulluar nuk mund të ushtrojë më funksionet shtetërore.
Sipas tij, Balluku nuk do të ketë më mundësi të paraqitet në zyrë apo të firmosë vendime në emër të detyrës, ndërsa e cilësoi këtë si një hap drejt dhënies fund të pandëshkueshmërisë në vend. Megjithatë, Shehaj thekson se beteja nuk përfundon këtu.
Ai deklaron se përgjegjësia, sipas tij, shtrihet edhe më lart në hierarkinë politike dhe se vëmendja duhet të zhvendoset te kryeministri Edi Rama. Shehaj argumenton se vetëm përballja e kreut të qeverisë me drejtësinë do të mund të shënonte, sipas tij, fundin real të pandëshkueshmërisë në Shqipëri.
Deklarata e tij vjen në një moment tensioni të lartë politik dhe institucional, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që nuk arriti shumicën e nevojshme për të rrëzuar pezullimin e Ballukut, duke e lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme.
“Më në fund Gjykata Kushtetuese vendosi pezullimin përfundimtar të Belinda Ballukut. Nga sot Belinda Balluku nuk shkon dot më në zyrë, nuk firmos dot më, nuk vjedh dot më qytetarët shqiptarë.
Mund të themi që ky është fundi i pandëshkueshmërisë në Shqipëri? Jo.
Tani e ka radhën Edi Rama.
Sepse çdo njeri në Shqipëri e di që në krye të korrupsionit është Edi Rama dhe vetëm me nxjerrjen para drejtësisë të Kryeministrit Edi Rama mund të themi që ka ardhur fundi i pandëshkueshmërisë edhe në Shqipëri”, shkruan Shehaj në rrjetet sociale.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



