Resorti i Bashkim Ulajt, banorët e Rrjollit kërkojnë drejtësi për pronat
Banorët e fshatit Rrjoll kanë zhvendosur protestën e tyre nga Prokuroria drejt Bashkisë së Shkodrës, duke kërkuar reagim zyrtar nga kryebashkiaku Benet Beci lidhur me dhënien e lejes së ndërtimit për biznesmenin Bashkim Ulaj.
Të mbledhur përpara godinës së bashkisë, protestuesit kërkojnë sqarime mbi procedurat që janë ndjekur për miratimin e projektit, ndërsa shprehen se ndihen të përjashtuar nga çdo proces konsultimi. Ata pretendojnë se nuk janë informuar dhe nuk kanë marrë pjesë në asnjë dëgjesë publike për projektin e resortit që pritet të ndërtohet në zonën e tyre.
Sipas banorëve, shqetësimi kryesor lidhet me pronat, për të cilat thonë se rrezikojnë t’i humbasin. Ata kërkojnë që bashkia të marrë një qëndrim të qartë dhe të dalë në krah të komunitetit.
“Jemi këtu për të kërkuar një reagim nga bashkia. Kemi probleme serioze me pronat dhe kërkojmë të dimë si është dhënë kjo leje ndërtimi. Po lihen pa prona shumë familje në fshat. Askush nga banorët nuk është pyetur dhe dëgjesa publike që pretendohet se është bërë nuk është zhvilluar me ne”, u shpreh një nga banoret protestuese.
Një tjetër banor theksoi se kërkojnë ndërhyrjen e kryetarit të bashkisë për të sqaruar procedurat dhe për të përfaqësuar interesat e tyre. Sipas tij, shqetësimi kryesor mbetet transparenca mbi mënyrën e dhënies së lejes së ndërtimit për projektin turistik.
Banorët e Rrjollit vijojnë të kundërshtojnë ndërtimin e resortit në zonë, duke pretenduar se projekti cenon pronat dhe interesat e komunitetit lokal. Ata paralajmërojnë se protestat do të vijojnë derisa të marrin përgjigje zyrtare dhe sqarime të plota nga institucionet vendore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



