SPAK e kapi “mat” me Veliajn, gjyqtari Gerd Hoxha fiton në KLGJ

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Vazhdon garën si kandidat në GJKKO

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka vendosur të rrëzojë qëndrimin e Komisionit të Posaçëm të Verifikimit të Figurës, duke i hapur rrugën gjyqtarit Gerd Hoxha për të vijuar garën për një vend në Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Vendimi u mor gjatë mbledhjes së sotme të Këshilli i Lartë Gjyqësor, ku anëtarët votuan me shumicë 7 vota pro dhe 3 kundër për të lejuar vazhdimin e kandidimit të Hoxhës. Vendimi u mbështet në interpretimin e dhënë më herët nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, e cila kishte urdhëruar vijimin e garës për kandidatin.

Me këtë vendim, KLGJ zhbëri praktikisht qëndrimin e Komisionit të Posaçëm pranë SPAK, i përbërë nga Behar Dibra, Ened Nakuci dhe Elton Kërluku, të cilët më herët kishin vlerësuar se gjyqtari nuk plotësonte kriteret për të vijuar garën drejt GJKKO.

Komisioni kishte argumentuar vendimin e tij edhe mbi bazën e një fotografie të realizuar gjatë një aktiviteti në Ambasadën britanike, ku gjyqtari Hoxha, mes shumë të ftuarve, shfaqej duke shtrënguar duart me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj.

Megjithatë, Këshilli i Lartë Gjyqësor vlerësoi se urdhërimi i Gjykatës Kushtetuese dhe procedurat ligjore prevalojnë mbi vendimin e komisionit të verifikimit, duke e kualifikuar Hoxhën për të vijuar garën për në Gjykatën Antikorrupsion.

Publikuar nga Publik Media