Bllokimi i rrugës Prrenjas-Librazhd, Rama drejt Korçës me helikopter
Teksa aksi Prrenjas–Librazhd mbetet i mbyllur për shkak të rrëshqitjeve të dherave në zonën e njohur si “Arra e Gurrës”, kryeministri Edi Rama ka planifikuar një vizitë në Korçë.
Mësohet se Policia e Korçës është njoftuar se kreu i qeverisë pritet të mbërrijë me helikopter rreth orës 11:00 për inaugurimin e “Polit të Dijes”.
Duke qenë se aksi kryesor që lidh Pogradecin me Korçën është bllokuar, udhëtimi ajror duket se është zgjedhja për të vijuar axhendën e parashikuar.
Nga ana tjetër, Kryeministria nuk ka shpërndarë një njoftim zyrtar lidhur me këtë vizitë, ndërsa mediat lokale në Korçë kanë raportuar mbi zhvillimin e planifikuar.
Rruga ishte parashikuar të hapej sot në mesditë, pas dëmtimeve të shkaktuara nga rrëshqitjet e dheut në segmentin problematik. Megjithatë, gjatë ditës pati sërish lëvizje dherash, duke e bërë zonën me rrezikshmëri të lartë. Për këtë arsye, edhe mjetet e tonazhit të rëndë që po punonin për hapjen e aksit janë tërhequr nga vendi, deri në stabilizimin e situatës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



