Skandali/ Si u lejua gërryerja e Shkumbinit para shembjes së rrugës
Nga 4 A-M te Salillari, si u ‘masakrua’ me bekimin e qeverisë
Ndërsa Autoriteti Rrugor Shqiptar deklaron se rrëshqitja masive në aksin Librazhd–Prrenjas është pasojë e reshjeve intensive dhe mohon ndërhyrjet në lumin Shkumbin, dokumentet zyrtare tregojnë një tjetër realitet: vetë qeveria ka dhënë licenca për shfrytëzim të gjerë të shtratit të lumit nga kompanitë që po zbatojnë projektet rrugore në zonë.
Kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli, deklaroi publikisht se “nuk ka asnjë lloj shkeljeje nga kontraktori në marrjen e inerteve” dhe se Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka kryer kontrolle në zonë.
Megjithatë, dokumentet zyrtare tregojnë se ndërhyrjet në lumin Shkumbin nuk janë çështje shkeljeje të fshehtë, por veprime të autorizuara përmes licencave shtetërore.
Kompania ANK, e cila ka fituar lotin e katërt të zgjerimit të rrugës Elbasan–Qafë Thanë me vlerë rreth 20 milionë euro dhe operon pranë zonës ku ndodhi shembja, ka marrë më 19 dhjetor 2024 licencë për shfrytëzimin e inerteve në lumin Shkumbin.
Leja është e vlefshme deri më 19 dhjetor 2027 dhe parashikon shfrytëzimin e rreth 490 mijë metrave katrorë shtrat lumor, me të drejtë për të marrë 71.561 metër kub inerte.
Në dokument përcaktohet qartë se shfrytëzimi i shtratit të lumit bëhet në funksion të projektit “Zgjerimi i rrugës Elbasan–Qafë Thanë”.
Por ANK nuk është e vetmja kompani që ka marrë një licencë të tillë.
Në korrik 2023, kompania Alb-Building, fituese e lotit të parë të këtij projekti me vlerë 21.8 milionë euro, mori leje për të shfrytëzuar lumin Shkumbin në një sipërfaqe prej 610.710 metrash katrorë.
Sipas dokumenteve, kompania ka të drejtë të marrë deri në 619.637 metër kub inerte në vit, ose 1.858.911 metër kub gjatë gjithë periudhës së lejes, e cila përfundon në vitin 2027.
Ndërkohë, në prill 2024, kompania “4 A-M” mori një tjetër leje trevjeçare për shfrytëzim të shtratit të lumit në kuadër të fazës së dytë të projektit, me vlerë 24.2 milionë euro.
Leja përfshin një sipërfaqe prej 175.824 metrash katrorë dhe shfrytëzimin e 316.483 metër kub inerte në vit, ose 949.449 metër kub gjatë tre viteve.
Pak ditë më parë, Byroja Kombëtare e Hetimit, me urdhër të SPAK, ka ushtruar kontrolle edhe në kompaninë “4 A-M” shpk të Ardit Metaliaj. Ky i fundit dyshohet si prestanome i biznesmenit Bashkim Ulaj.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë pesë viteve të fundit kompania “4 A-M” ka përfituar mbi 140 milionë euro nga buxheti i shtetit përmes tenderëve publikë.
Një tjetër leje për shfrytëzimin e inerteve në lumin Shkumbin është dhënë gjithashtu për kompaninë Alb-Building në korrik 2025, këtë herë për projektin “Papër–Ura e Grykshit (Faza III)”, pjesë e aksit Elbasan–Lekaj.
Leja përfshin shfrytëzimin e 111.834 metrave katrorë shtrat lumor dhe nxjerrjen e 226.807 metër kub inerte.
Po ashtu, një tjetër licencë është dhënë për kompaninë e biznesmenit Pëllumb Salillari. Në qershor 2025, kjo kompani mori leje për projektin “Elbasan–Papër (Faza I)” me vlerë rreth 20 milionë euro.
Leja parashikon shfrytëzimin e 169.773 metrave katrorë sipërfaqe lumore dhe nxjerrjen e rreth 425 mijë metër kub inerte.
Të gjitha këto dokumente tregojnë se ndërhyrjet në lumin Shkumbin nuk janë raste sporadike, por pjesë e një procesi të miratuar zyrtarisht dhe të lidhur drejtpërdrejt me projektet rrugore në zonë.
Ndërkohë, rrëshqitja masive e dheut në aksin Librazhd–Prrenjas e ka bërë segmentin të pakalueshëm, duke izoluar juglindjen e vendit dhe duke detyruar devijimin e trafikut dhe transportit të mallrave drejt pikave të tjera kufitare.
Zyrtarisht, autoritetet ia atribuojnë situatën reshjeve intensive dhe erozionit natyror. Por dokumentet tregojnë se shtrati i lumit Shkumbin ka qenë objekt i shfrytëzimit intensiv me leje të dhëna nga vetë qeveria.
Ndërsa qytetarët dhe bizneset përballen me pasojat e bllokimit të këtij aksi të rëndësishëm, mbetet për t’u parë nëse ndikimi i ndërhyrjeve të autorizuara në lumin Shkumbin do të hetohet në thellësi dhe nëse përgjegjësia do të ndalet te faktorët natyrorë, apo do të shkojë deri te vendimmarrësit që kanë dhënë këto leje.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




