Gjykata e Lartë rrëzon SPAK-un, ish-partnerja e Safet Bajrit mbetet në arrest shtëpie
Eria Ago, ish-partnerja e Safet Bajri, do të vijojë të qëndrojë në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, pasi Gjykata e Lartë e Shqipërisë ka rrëzuar rekursin e paraqitur nga SPAK.
Prokuroria e Posaçme kishte kundërshtuar vendimin e Gjykata e Posaçme e Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila më 20 nëntor 2025 ndryshoi masën e sigurisë ndaj Agos nga “arrest në burg” në “arrest në shtëpi”.
Megjithatë, Gjykata e Lartë vendosi të lërë në fuqi vendimin e Apelit, duke mos pranuar kërkesën e SPAK për rikthimin e saj në qeli.
Në të njëjtën kohë, gjykata rrëzoi edhe rekursin e vetë Agos, e cila kishte kërkuar heqjen e plotë të masës së “arrestit në shtëpi”.
Eria Ago akuzohet se ka ndihmuar në largimin nga vendi i ngjarjes të autorëve pas atentatit ku u vra Fatbardh Lici në Shkodër, më 10 gusht 2018.
Sipas hetimeve të SPAK, ajo dyshohet se ka transportuar nga Shkodra në Tiranë Astmer Bilali, duke ndihmuar në arratisjen e tij pas ngjarjes.
Nga ana tjetër, Ago i ka mohuar akuzat, duke deklaruar se në ditën kur ndodhi vrasja e Fatbardh Liçit ndodhej në Tiranë dhe se nuk ka përdorur asnjëherë automjetin e Astmer Bilalit.
Megjithatë, sipas dosjes hetimore të SPAK, provat e mbledhura tregojnë se ajo ka qenë në timonin e automjetit dhe ka transportuar Bilalin nga Shkodra drejt Tiranës pas atentatit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



