Zbardhen detajet, ja pse Belinda Balluku rrezikon deri në 35 vite burg
Shtohen episodet penale dhe ashpërsohet masa e kërkuar nga SPAK
Në raportin e depozituar në Kuvend për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku, përfaqësuesit e Partia Demokratike e Shqipërisë argumentojnë se situata juridike e saj është rënduar ndjeshëm, ndërsa hetimet janë zgjeruar përtej procedurave fillestare të prokurimit.
Sipas materialit të paraqitur, kërkesa për autorizim lidhet me intensifikimin e hetimeve nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), e cila ka konstatuar shtim të episodeve penale të dyshuara. Nëse në fazën e parë masa e sigurisë u caktua mbi bazën e dy procedurave tenderuese, tashmë hetimi përfshin edhe disa procedura të tjera, si dhe një koncesion, çka – sipas prokurorisë – ndryshon ndjeshëm raportin mes rëndësisë së faktit dhe masës së sigurimit.
Gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura të Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit, kryeprokurori i SPAK, Klodian Braho, ka theksuar se nga dy procedura për të cilat u vendos masa e pezullimit nga detyra, numri i episodeve është zgjeruar në tetë. Sipas tij, ligji kërkon që masa e sigurimit të jetë në përpjesëtim me rëndësinë e veprës dhe sanksionin e mundshëm penal. Në këtë kontekst, shtimi i fakteve të dyshuara dhe përsëritja e të njëjtës mënyrë veprimi me të njëjtët bashkëpunëtorë përbëjnë, sipas prokurorisë, rrethana rënduese.
Braho argumentoi se çdo episod penal trajtohet më vete në momentin e caktimit të dënimit, çka teorikisht mund të çojë në një dënim maksimal që, i mbledhur, mund të arrijë deri në 35 vite burg. Ai theksoi se masat ekzistuese – ndalimi i daljes jashtë shtetit dhe pezullimi nga ushtrimi i funksioneve publike – janë vendosur fillimisht për dy episode konkrete, por zhvillimet e mëvonshme kanë krijuar një realitet tjetër procedural.
Në raport përmenden edhe hetime që lidhen me projekte të mëdha infrastrukturore, si Tuneli i Llogarasë dhe Loti 4 i Unazës së Madhe të Tiranës, për të cilat deputetja ka marrë më herët statusin e personit nën hetim. Sipas prokurorisë, shtimi i gjashtë fakteve të reja penale dhe indiciet për tre të tjera kanë diktuar kërkesën për autorizim nga Kuvendi për paraqitjen në gjykatë të një mase më të ashpër sigurimi, si “arrest në burg” ose “arrest në shtëpi”.
Argumenti qendror i paraqitur është se mosndërhyrja në këtë fazë mund të krijojë rrezik për cenimin e hetimeve apo ndikim mbi provat. Në përfundim, theksohet se vlerësimi përfundimtar mbi masën e sigurimit i takon gjykatës, e cila duhet të analizojë periodikisht nëse nevojat e sigurimit vijojnë të ekzistojnë.
PJESË NGA RAPORTI:
“Klodjan Braho – Analiza e vendimit të Gjykatës të datës 19.11.2025, por edhe kërkesa prokurorisë në atë moment lidhet vetëm me dy procedurat e para të prokurimit. Kërkesa depozituar Kuvendit lidhet edhe me procedurat shtesë. Nëse do t’i referohemi përshtatshmërisë së masave të sigurimit, e ka rregulluar posaçërisht situatën neni 229, paragrafi 2, i Kodit Procedures Penale, ku përshkruhet se çdo masë duhet të jetë në raport me rëndësinë e faktit dhe sanksionin qe parashikohet për veprën penale. Jemi në situatën që rëndesia e faktit ndryshuar, nga 2, janë shtuar edhe 6 apo 7 procedura te tjera; sanksioni ka ndryshuar, nga dy dënime maksimumi i mundshem deri ne 5 vjet, mund të jetë situata juridike që personi do të dënohet edhe për procedura të tjera të prokurimit, për secilën prej tyre. Mbajme parasysh: vazhdimësia, përsëritja, rrethanat lehtesuese apo rënduese. Ka vazhdimësi, ka përsëritje veprimeve në kohë, ka rrethana rënduese, sepse janë kryer të gjitha në bashkëpunim me persona të tjerë, që me së shumti janë të njëjtët persona. Duke i mbledhur bashkë të gjithë këta elemente që ka parashikuar ligji, ne vlerësojmë që përshtatshmëria është më e lartë në raport me nevojat të e sigurimit, që sot mund të parandalohen me masat ekzistuese, dhe kërkon një masë tjetër që t’i kënaqë nevojat e sigurimit.
Atëherë, kam përshtypjen se unë iu pergjigja njëhërë kësaj pyetjeje, megjithatë po e qartësoj sërish. Është qartësisht e përshkruar në kërkesë çdo arsye pse kemi ardhur sot në Kuvend. Elementi që Kushtetuesja kishte pezulluar pezullimin nuk është pjesë e përmbajtjes së kërkesës. Për sa kohë nuk është pjesë e përmbajtjes së kërkesës përgjigja më e qartë është: nuk lidhet me atë pjesë, edhe pse, në vlerësimin tonë, ajo e rëndon më tepër. Nuk është kaq e thjeshtë të themi se gjyqtari e pa njëherë nevojën për nenin 258, por, përsëri, neni 258 nuk është kështu. Pra, e ka parë këtë nen në raport me dy procedura, sepse llogariti edhe rrezikun e personit të veprës, edhe mundësinë e denimit që mund të marrë personi, ndaj me 2 episode teorikisht mund të dënohet deri në 10 vjet. Në qoftë se ato nga 2 bëhen 8 episode (fakte penale), nuk është më e njëjta situate. Është i njëjti nen, por përsëritet 8 herë. Pra, kur caktohet dënimi, caktohet për secilën vepër dhe teorikisht mund të shkojë edhe deri në dënimin maksimal me 35 vjet burg. Pra, nuk ështe e njëjta situatë, pavarësisht se është e njëjta dispozitë.
Për këtë shkak, rezulton e provuar se ekziston nevoja e kryerjes së veprimit nga ana e prokurorisë, në kuadër të përshtatshmërisë së masës së kërkuar. Nevojat e sigurimit janë rënduar për personin nën hetim dhe të pandehurën Belinda Balluku. Është fakt që prokuroria nuk ka kërkuar masë sigurimi në momentin që deputeti Belinda Balluku është marrë i pandehur për një fakt penal – Ndërtimi i Tunelit të Llogarasë. Më pas, ka lindur nevoja për caktimin e masës së sigurimit, sepse ajo ka marrë cilësinë e personit nën hetim për një tjetër fakt penal – Ndërtimi i Lotit të 4 të Unazës së Madhe të Tiranës, ku prokuroria dhe gjykata, në respekt të parimit të përshtatshmërisë dhe proporcionalitetit të masave të sigurimit perosnal, kanë kërkuar dhe caktuar një masë të lehtë të sigurimit personal, atë të “Ndalimit të daljes jashtë shtetit” dhe të masës ndaluese të “Pezullimit të ushtrimit të një funksioni a shërbimi publik”. Më pas, në ngarkim të deputetit Belinda Balluku janë atribuuar edhe 6 fakte të reja penale dhe indicie të mjaftueshme për 3 fakte të tjera penale, dhe kjo ka diktuar nevojën e prokurorisë për të kërkuar autorizimin nga Kuvendi i Shqipërisë për të lejuar paraqitjen në gjykatë të kërkesës për caktimin e masës “arrest në burg” apo “arret në shtëpi”. Për më tepër, mos kryerja e veprimit mund t’i japë mundësi të pandehurës që të dëmtojë hetimet dhe të pengojë drejtësinë. Është kompetencë e prokurorisë dhe gjykatës që më pas të vlerësojnë në mënyrë periodike vijimin ose jo të nevojave që diktojnë kryerjen e një veprimi të caktuar në mbrojtje të hetimeve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



