Sekretariati i Etikës në Kuvend ka marrë vendim për deputetin dhe njëherazi kreun e Partisë Mundësia, Agron Shehaj, në lidhje me incidentin e ndodhur gjatë seancës plenare të së hënës.
Sipas vendimit, Shehaj është përjashtuar për 20 ditë nga punimet e Kuvendit, pas kërkesës së paraqitur nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste.
Vendimi erdhi pasi gjatë seancës plenare deputeti bllokoi foltoren e Kuvendit dhe, pavarësisht tërheqjes së vëmendjes nga drejtuesit e seancës, refuzoi ta lironte atë. Ky veprim pengoi vijimin normal të punimeve parlamentare, duke sjellë ndërhyrjen e Sekretariatit të Etikës.
Për shkak të këtij veprimi, organi disiplinor i Kuvendit vendosi masën e përjashtimit për një periudhë 20-ditore nga aktivitetet parlamentare.







