Dosja ‘Toyota Auris’, shkarkohet nga detyra ish-prokurori Aurel Zarka
Ish-prokurori i Vlorës, Aurel Zarka, është shkarkuar përfundimisht nga detyra pas vendimit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Zarka, i cili më herët është dënuar me 2 vite e 8 muaj burg për përfshirjen në dosjen e njohur si “Toyota Auris”, nuk do të jetë më pjesë e sistemit të drejtësisë.
Vendimi u shpall nga trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga kryesuesja Natasha Mulaj, relatore Mimoza Tasi dhe anëtarët Albana Shtylla, Rezarta Schuetz dhe Sokol Çomo. Trupi gjykues shqyrtoi çështjen që lidhej me ankimin e Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, i cili më parë kishte marrë një vendim për subjektin e rivlerësimit.
Pas shqyrtimit të çështjes, Kolegji vendosi në mënyrë unanime ndryshimin e vendimit nr. 779, datë 28 qershor 2024, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin e Aurel Zarkës nga detyra.
Vendimi u mor duke u mbështetur në nenin 66, pika 1, shkronja “b” të ligjit nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Sipas Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, vendimi është përfundimtar dhe hyn në fuqi menjëherë, pa mundësi ankimi në një shkallë tjetër.
Vendimi për shkarkimin e ish-prokurorit u shpall më 5 mars 2026 në Tiranë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



