Të rinjtë braktisin alkoolin, bie konsumi në bare dhe restorante
industria në vështirësi
Baret dhe restorantet në vend po përballen me një rënie të ndjeshme të konsumit, si pasojë e ndryshimit të sjelljes së konsumatorëve, reduktimit të popullsisë dhe një fluksi më të ulët turistësh.
Për periudhën janar–shkurt 2026, konsumi në bare dhe restorante ka rënë me rreth 20% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo konfirmohet nga Kryetari i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve, Enri Jahja, i cili e lidh këtë situatë me disa faktorë të ndërthurur.
Sipas tij, qytetet kanë më pak konsumatorë aktivë, ndërsa tregu mbetet me të njëjtën ofertë. Në të njëjtën kohë, çmimet në disa prej restoranteve më të njohura të Tiranës kanë arritur deri në 4,000 lekë për person, duke kufizuar aksesin për një pjesë të klientelës. Ndikim kanë pasur edhe problemet infrastrukturore, si bllokimi i rrugës Librazhd–Përrenjas, që ka penguar furnizimin dhe lëvizjen.
“Në bare, kërkesa për kafe ka rënë ndjeshëm, duke detyruar operatorët të futin produkte më të lira dhe shpesh me cilësi më të ulët, pasi konsumatorët kryesorë janë pensionistë që kërkojnë çmime të përballueshme”, thekson Jahja.
Rënie është regjistruar edhe në jetën e natës. Kryetari i Shoqatës së Bartendërve, Kleantino Goga, pohon se kërkesa për pije alkoolike është në nivele të ulëta gjatë kësaj periudhe.
Sipas tij, një faktor kyç është ndryshimi i sjelljes së konsumatorëve, veçanërisht tek të rinjtë. “Të rinjtë frekuentues të jetës së natës nuk konsumojnë më alkool. Ata preferojnë pije spumante ose pa alkool. Ndërsa grupmosha mbi 40 vjeç shmang baret dhe klubet, duke u orientuar drejt birrarive të lagjeve”, shprehet Goga.
Operatorët e sektorit presin një rigjallërim të kërkesës me afrimin e sezonit turistik në muajin maj, por situata aktuale mbetet shqetësuese.
Një tjetër problem i madh për industrinë është mungesa e fuqisë punëtore. Përfaqësues të sektorit theksojnë se brezi i ri po refuzon gjithnjë e më shumë të punojë në shërbim, duke thelluar krizën e burimeve njerëzore në bare dhe restorante.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



