E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Thellohet kriza! Hiqet nafta falas, Edi Rama fundos keq fermerët
Lajme

Thellohet kriza! Hiqet nafta falas, Edi Rama fundos keq fermerët

Skema e mbështetjes për bujqësinë për vitin 2026 sjell një ndryshim thelbësor që prek drejtpërdrejt fermerët: heqjen e subvencionit për karburantin, një nga format më të prekshme të ndihmës në vitet e fundit. Në vend të tij, qeveria po orienton mbështetjen drejt një modeli të ri, të bazuar më shumë te grantet dhe financimi për investime.

Vendimi i ri vjen në një kohë kur çmimet e karburantit vijojnë të mbeten një ndër kostot kryesore të prodhimit bujqësor. Për shumë fermerë, nafta pa taksa ka qenë një ndihmë e drejtpërdrejtë dhe e menjëhershme në përballimin e shpenzimeve të përditshme në fermë. Megjithatë, kjo lehtësi nuk do të jetë më pjesë e skemës kombëtare.

Në deklaratat publike, kryeministri Edi Rama ka theksuar se mbështetja për sektorin bujqësor është rritur. Por ndryshimi i fundit tregon një zhvendosje nga ndihma direkte te një qasje që kërkon më shumë aplikime dhe investime nga vetë fermerët.

Sipas vendimit, fondet do të fokusohen te pagesat direkte për sipërfaqet e mbjella dhe për krerët e matrikulluar në blegtori, si dhe te grantet për zhvillimin e fermave, agropërpunimin dhe mekanizimin e bujqësisë. Në total, fondi për investime parashikohet të arrijë deri në 2.5 miliardë lekë.

Skema përfshin gjithashtu mbështetje për sektorë të tjerë si blegtoria, bletaria, fermat organike dhe proceset e certifikimit bujqësor, me synimin për të rritur standardet dhe për të modernizuar prodhimin.

Megjithatë, në praktikë, ndryshimi kryesor për fermerët mbetet kalimi nga një përfitim i menjëhershëm – siç ishte nafta falas – në një mbështetje që kërkon kohë, procedura dhe investime paraprake. Kjo ka ngritur pikëpyetje mbi efektin real që do të ketë skema e re në përballimin e kostove të përditshme.

Vendimi hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare, ndërsa ndikimi i tij pritet të ndihet në muajt në vijim, sidomos në një periudhë kur çmimet e karburantit mbeten të larta dhe pesha e tyre në bujqësi është vendimtare.

Vendimi 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 3, të nenit 6, të ligjit nr.9817, datë 22.10.2007, “Për bujqësinë dhe zhvillimin rural”, të shkronjës “c”, të pikës 2, të nenit 18, të ligjit nr.64/2012, “Për peshkimin”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Fondi i miratuar në buxhetin e vitit 2026 për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në zërin “Transfertë në buxhetet familjare” (llogaria ekonomike 606), përdoret për:

a) rritjen e konkurrueshmërisë së prodhimeve bujqësore dhe blegtorale, duke ulur kostot nëpërmjet pagesave direkte për sipërfaqe të kultivuar dhe për kafshë të matrikulluara;
b) kontrollin biologjik të dëmtuesve të perimeve në serra, certifikimin e produkteve bujqësore dhe të fermave organike;
c) mbështetjen me grante për investime në ferma, agropërpunim, akuakulturë dhe agroturizëm.

2. Masat e mbështetjes dhe masa e financimit nga fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural janë, si më poshtë vijon:

2.1. Pagesa direkte në bujqësi dhe blegtori është, si më poshtë vijon:

a) Në vlerën deri në 12 000 (dymbëdhjetë mijë) lekë/krerë, për tufën bazë të matrikulluar (kafshët riprodhuese), për fermer/aplikant, me jo më pak se 5 (pesë) krerë lopë dhe /ose mëshqerra.
Për pjesën mbi 50 (pesëdhjetë) krerë, masa e përfitimit zvogëlohet me 50%, përjashtuar rastet e aplikantëve me status “Shoqëri të bashkëpunimit bujqësor (në vijim SHBB)”;
b) Në vlerën deri në 1 500 (një mijë e pesëqind) lekë/krerë për tufën bazë të matrikulluar (kafshët riprodhuese), për fermer/aplikant, me jo më pak se 50 (pesëdhjetë) krerë dele dhen/ose dhi.
Për pjesën mbi 300 (treqind) krerë, masa e përfitimit zvogëlohet me 50%, përjashtuar rastet e aplikantëve me status “SHBB”;
c) Për mbarështimin e bletarisë, në vlerën deri në 2 000 (dy mijë) lekë për zgjua, për fermer/aplikant, me jo më pak se 25 (njëzet e pesë) zgjoje.
Për pjesën mbi 150 (njëqind e pesëdhjetë) zgjoje, masa e përfitimit zvogëlohet me 50%, përjashtuar rastet e aplikantëve me status “SHBB”;
ç) Për dosa dhe/ose paradosa të matrikulluara, në vlerën deri në 7 000 (shtatë mijë) lekë/krerë dosë/paradosë, për fermer/aplikant, me jo më pak se 5 (pesë) krerë dosa dhe/ose paradosa.
Për pjesën mbi 100 (njëqind) krerë, masa e përfitimit zvogëlohet me 50%, përjashtuar rastet e aplikantëve me status “SHBB”;
d) Për kontrollin biologjik të dëmtuesve të perimeve (domate, speca, tranguj) në serra dhe/ose luleshtrydheve në tunele plastike, masa e përfitimit është 70% e vlerës totale të faturave tatimore, për blerjen e materialeve biologjike, përfshirë insektet e dobishme, por jo më shumë se 40 000 (dyzet mijë) lekë për dynym, në rastin e dy mbjelljeve në vit.
Për fermerët individualë, që aplikojnë për mbështetje për kontrollin biologjik, sipërfaqja minimale e kultivuar është 1 (një) dynym, ndërsa për aplikantët me status “SHBB”, sipërfaqja minimale është 1 (një) ha, për secilën nga mbjelljet;
dh) Për fermat organike për periudhën në kalim, vitin e parë, në vlerën 100 000 (njëqind mijë) lekë, në vitin e dytë 150 000 (njëqind e pesëdhjetë mijë) lekë, në vitin e tretë 150 000 (njëqind e pesëdhjetë mijë) lekë dhe 200 000 (dyqind mijë) lekë për fermë të certifikuar;
e) Për implementimin dhe certifikimin global GAP, përfshirë mbulimin e kostove të analizave të produkteve në perime, fruta, rrush, ullinj, agrume dhe kultura të tjera bujqësore të certifikueshme, në masën 50% të vlerës totale të faturës tatimore, por jo më shumë se:

i. 175 000 (njëqind e shtatëdhjetë e pesë mijë) lekë, për sipërfaqe jo më pak se 1 (një) ha për certifikim individual;
ii. 500 000 (pesëqind mijë) lekë, për sipërfaqe jo më pak se 3 (tre) ha në ambiente të mbrojtura dhe jo më pak se 10 (dhjetë) ha në fushë të hapur, për certifikim në grup, me minimumi 10 (dhjetë) fermerë të përfshirë;
iii. 700 000 (shtatëqind mijë) lekë, për sipërfaqe jo më pak se 15 (pesëmbëdhjetë) ha në ambiente të mbrojtura dhe jo më pak se 30 (tridhjetë) ha në fushë të hapur, për certifikim në grup, me minimum 20 (njëzet) fermerë të përfshirë.

ë) në vlerën deri në 10 000 (dhjetë mijë) lekë për ha, për sipërfaqe të mbjellë me kultura bujqësore. Sipërfaqja totale, për të cilën aplikohet, duhet të jetë jo më pak se 3 (tre) ha.
Për sipërfaqe mbi 10 (dhjetë) ha, masa e përfitimit zvogëlohet me 50%, përjashtuar rastet e aplikantëve me status “SHBB”;

f) për mbështetje për aktivitetin ripopullim peshkimi për ujërat e brendshme për blerje rasate peshku, masa e përfitimit është në 50% e vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 200 000 (dyqind mijë) lekë për subjekt.

2.2. Mbështetje për investime për:

a) masat e përcaktuara në shkronjat “a”, “b”, “c”, “ç”, “d”, “dh”, “e”, “ë” dhe “f”, të nënpikës 2.4, të vendimit nr.150, datë 6.3.2025, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve bazë, të sektorëve që do të mbështeten dhe të masës së financimit nga fondi i programit për bujqësinë e zhvillimin rural, për vitin 2025”, të ndryshuar;

b) fermerë të rinj, për investime në ferma bujqësore dhe blegtorale, masa e përfitimit është në 70% e vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 1 000 000 (një milion) lekë;

c) ndërtimin/rikonstruksionin e staneve dhe/ose pajisjeve për përmirësimin e kushteve, masa e përfitimit është në 70% e vlerës së faturave tatimore, por jo më shumë se 3 000 000 (tre milionë) lekë për subjekt.

ç) pajisje, makineri dhe mjete bujqësore për mekanizimin dhe modernizimin e proceseve të punës në ferma bujqësore dhe blegtorale, masa e përfitimit është në 50% e vlerës së faturave tatimore, por jo më shumë se 500 000 (pesëqind mijë) lekë për subjekt dhe jo më pak se 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë për subjekt.

3. Fondi total për mbështetjen për investime, të përcaktuara në shkronjat “a”, “b”, “c”, “ç” dhe “d”, të nënpikës 2.2, është në vlerën deri në 2 500 000 000 (dy miliardë e pesëqind milionë) lekë.

4. Nga fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural, për vitin 2026, përdoret shuma deri në:

a) 159 954 159 (njëqind e pesëdhjetë e nëntë milionë e nëntëqind e pesëdhjetë e katër mijë e njëqind e pesëdhjetë e nëntë) lekë, për pagesën e vlerës së palikuiduar për kontratat, për të cilat nuk është autorizuar pagesa finale në masat e mbështetjes për investime nga Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural, në zbatim të pikave 2.3 dhe 3/2, të vendimit nr.130, datë 6.3.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve bazë të sektorëve që do të mbështeten dhe të masës së financimit nga fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural, për vitin 2024”, të ndryshuar;

b) 9 662 269 (nëntë milionë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë e dy mijë e dyqind e gjashtëdhjetë e nëntë) lekë, për pagesën e vlerës së palikuiduar, për subjektet përfituese, në zbatim të vendimit nr.150, datë 6.3.2025, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve bazë të sektorëve që do të mbështeten dhe të masës së financimit nga fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural, për vitin 2025”, të ndryshuar.

5. Për masat mbështetëse sipas shkronjave “a”, “b”, “c”, “ç”, “d”, “dh”, “e”, ‘ë” dhe “f”, sipas përcaktimeve të nënpikës 2.1, kur fondi në dispozicion rezulton më i vogël se totali i kërkesës së aplikimeve të bëra për masën përkatëse, vlera e financimit që përfitohet për njësi (krerë, zgjua apo ha), si dhe në total për subjekt, reduktohet në përputhje me këtë fond. Në rastet e shtesave/alokimeve eventuale të fondit, vlera e financimit që përfitohet nuk mund të jetë më e madhe se kufiri për masën përkatëse, i përcaktuar në këtë vendim.

Nga rregulli i mësipërm bëjnë përjashtim aplikantët me status “SHBB”, të cilët përfitojnë vlerën maksimale të financimit, të parashikuar në këtë vendim, edhe kur fondi në dispozicion rezulton më i vogël se totali i kërkesës së aplikimeve të bëra për masën përkatëse.

6. Për aplikimet për masat mbështetëse, sipas shkronjave “a”, “b”, “c” dhe “ç”, të nënpikës 2.1, të këtij vendimi, kryhet kontrolli në terren për verifikimin faktik të numrit të krerëve/zgjojeve, në jo më pak se 30%, të subjekteve përfituese, ndërsa për aplikimet sipas shkronjës “ë”, në jo më pak se 10% të subjekteve përfituese, përfshirë kontrollin e të gjitha subjekteve me sipërfaqe mbi 10 (dhjetë) ha.
Çdo subjekt, në rastet kur verifikohet se ka përfituar më shumë se 20% nga vlera, për të cilën plotëson kriteret, përjashtohet 3 (tre) vjet nga e drejta e përfitimit prej masave mbështetëse për bujqësinë dhe zhvillimin rural, të financuara nga buxheti i shtetit.

7. Përfitues për masat e mbështetjes nga fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural janë fermerët individualë, personat fizikë, personat juridikë dhe shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor (SHBB).

8. Ngarkohet Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.