Çfarë ndodhi? Institucionet e drejtësisë mbeten pa sistem
Prokuroritë e juridiksionit, në ‘black out’
Edhe pse Prokuroria e Përgjithshme ka mohuar zyrtarisht të ketë pësuar një sulm kibernetik, situata në terren paraqitet problematike. Prokuroritë e juridiksionit të zakonshëm rezultojnë aktualisht pa akses në sistemet e tyre, duke krijuar një situatë të pazakontë dhe shqetësuese për funksionimin normal të institucionit.
Bënet me dije se bëhet fjalë për një “black out” të plotë të sistemeve, që po ndikon drejtpërdrejt në punën e përditshme të prokurorëve.
Burime bëjnë të ditur se pas këtij bllokimi qëndron një ndërhyrje kibernetike, e dyshuar nga grupi i hakerave “Homeland Justice”, i cili prej kohësh ka qenë aktiv në sulme ndaj institucioneve shqiptare.
Një ditë më parë, ky grup njoftoi publikisht se kishte ndërmarrë një sulm ndaj sistemeve të Gjykatës së Lartë dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Sipas pretendimeve të tyre, ata kanë arritur të depërtojnë në rrjetet e brendshme të institucioneve të drejtësisë dhe të sigurojnë dokumente dhe të dhëna sensitive që lidhen me funksionimin e tyre.
Megjithatë, pavarësisht këtyre deklarimeve, autoritetet zyrtare nuk kanë konfirmuar deri më tani një komprometim të tillë të sistemeve, duke lënë ende të paqartë shkallën reale të incidentit.
Situata mbetet në zhvillim, ndërsa pritet një reagim më i detajuar nga institucionet përkatëse për të sqaruar nëse bëhet fjalë për një sulm të mirëfilltë kibernetik apo për një problem teknik të brendshëm.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



