‘Shkundet’ Greqia/ Skandali me fondet bujqësore, dorëhiqen 3 ministra

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Një skandal i përmasave të mëdha që lidhet me abuzimin e fondeve bujqësore ka tronditur skenën politike në Greqi, duke çuar në dorëheqjen e tre ministrave të qeverisë.

Bëhet fjalë për Yiannis Kefalogiannis, ministër i Mbrojtjes Civile, Kostas Tsiaras, ministër i Zhvillimit Rural, si dhe Dimitris Vartzopoulos, zëvendësministër i Shëndetësisë. Dorëheqjet vijnë në një moment kur hetimet po thellohen dhe materialet e reja po i kalohen Parlamentit të Greqisë.

Sipas burimeve, një riorganizim i qeverisë pritet të zhvillohet gjatë ditës së sotme, ndërsa anëtarët e rinj të kabinetit do të betohen ditën e nesërme. Ndërkohë, në zhvillim pritet edhe largimi i Kostas Skrekas nga posti i sekretarit të Demokracisë së Re.

Hetimi lidhet me ngjarje të vitit 2021 dhe përfshin akuza të rënda si nxitje për shpërdorim detyre, mashtrim kompjuterik dhe falsifikim dokumentesh me qëllim përfitimi të paligjshëm. Dosja voluminoze është përgatitur nga Prokuroria Evropiane, e cila ka identifikuar një rrjet të organizuar që dyshohet se ka përfituar në mënyrë të paligjshme nga fondet bujqësore.

Ky skandal ka goditur drejtpërdrejt edhe reputacionin e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis, duke rritur presionin politik ndaj qeverisë së tij.

Megjithatë, hetimi është përballur me pengesa ligjore në nivel kombëtar. Sipas nenit 86 të Kushtetutës greke, ministrat dhe ish-ministrat gëzojnë mbrojtje të veçantë penale për veprimet gjatë ushtrimit të detyrës, çka shpesh ka çuar në shmangien e përgjegjësisë penale për figura politike të nivelit të lartë.

Për këtë arsye, Prokuroria Evropiane është detyruar të ndajë hetimin për anëtarët e qeverisë dhe t’ia kalojë materialin drejtpërdrejt Parlamentit, duke hapur një kapitull të ri në këtë çështje të ndjeshme.

Publikuar nga Publik Media