Informacionet po vijnë, pritet “tërmet” nga SPAK për politikanët

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Paralajmërimi i fortë nga Anduena Llabani

Gazetarja Anduena Llabani ka deklaruar se SPAK është duke hetuar një sërë dosjesh që përfshijnë politikanë nga të dy krahët, si dhe zyrtarë të dyshuar për lidhje me grupe kriminale. Sipas saj, bëhet fjalë për hetime të ndërlikuara, të cilat kërkojnë kohë dhe burime për t’u çuar deri në fund.

Duke bërë një krahasim me zhvillimet në Greqi, ku disa ministra janë larguar nga detyra apo janë vënë nën hetim për çështje që lidhen me subvencionet në bujqësi, Llabani theksoi se pritshmëritë e ndërkombëtarëve ndaj drejtësisë shqiptare janë të larta.

“Nëse SPAK nuk do ketë rezultate dhe integritet, nuk do gëzojë as mbështetjen e ndërkombëtarëve më tej. Shikoni si veproi Greqia me skandalin më të fundit të fondeve në bujqësi, ku ministrat akuzoheshin për subvencionin me dy lopë për fermerë dhe pyetja që mund të bëhet është se si mund të ikë një ministër për dy lopë? Por ja që ikën, vendoset drejtësi dhe drejtësia duhet lënë të bëjë punën e saj”, tha Llabani.

Megjithë presionin e vazhdueshëm politik, ajo nënvizoi se periudha në vijim do të tregojë qartë nëse do të dominojë drejtësia apo politika. Sipas saj, SPAK vazhdon të ketë mbështetje si nga opinioni publik, ashtu edhe nga partnerët ndërkombëtarë.

Llabani shtoi se bashkëpunimi me partnerët e huaj mbetet thelbësor, pasi ata po sjellin vazhdimisht materiale dhe dosje të rëndësishme që lidhen me organizata kriminale. Në këto hetime dyshohet se janë të përfshirë edhe zyrtarë të lartë, politikanë dhe efektivë policie.

“Se kush do dalë më i fortë, drejtësia dhe SPAK bashkë me ndërkombëtarët apo politika, kjo mbetet për t’u parë. Ka shtete partnere që sjellin informacione dhe dosje si Belgjika mbi të gjitha apo Italia, sjellin çdo javë pothuajse, për grupet kriminale, të përfshirë me policë, apo organizatat e krimit dhe veprimtarinë e saj apo politikanët që janë përfshirë me këto grupe kriminale. Deri ku do shkojë SPAK-u dhe deri ku do shkojnë tentakulat kjo mbetet për t’u parë, por po punohet, është duke u punuar”, vijoi ajo.

E pyetur për drejtimin e ri të institucionit, gazetarja u shpreh se Klodian Braho ka sjellë një qasje të ndryshme në mënyrën e punës, por mbetet në të njëjtën linjë me paraardhësin e tij, Altin Dumani, sa i takon misionit për vendosjen e drejtësisë.

“SPAK po punon, Klodian Braho është i njëjtë me Dumanin në punë, edhe pse me model tjetër. Unë mendoj se Klodian Braho ka tjetër strategji pune, por është zgjatim i Altin Dumanit. Do ketë të tjera prioritete, do kërkohet më shumë kohë për shkak të kompleksicitetit të dosjeve. Ndoshta do kërkojë kohë edhe për shkak të dosjeve penale që janë hapur për politikanët, nga mazhoranca ka, ka edhe nga opozita edhe nga mazhoranca, e kemi parë, shumë janë përcjellë atje te SPAK dhe shumë të tjerë të lidhur me qeverisjen e vendit janë marrë në pyetje në vijim”, përfundoi Llabani.

Publikuar nga Publik Media