Anëtari i Këshillit Kombëtar në PD dhe ish-kandidati për deputet, Ilir Alimehmeti, ka lënë të hapur mundësinë për të hyrë në garën për drejtimin e Tiranës, ndërsa ka përjashtuar qartësisht çdo ambicie për poste të tjera drejtuese brenda partisë.
I ftuar në emisionin “Breaking”, Alimehmeti u shpreh prerazi se nuk do të jetë pjesë e garës për kryetar të PD apo për funksione të tjera të larta në strukturat e saj.
“Jo për të dyja, as për kryetar dhe as për poste të tjera,” theksoi ai, duke shtuar se në politikë është më shumë njeri i veprimit sesa i deklaratave.
Megjithatë, kur u pyet për një kandidim të mundshëm për Bashkinë e Tiranës, ai nuk e përjashtoi këtë opsion, duke lënë të kuptohet se vendimi do të varet nga mënyra se si do të organizohet procesi i përzgjedhjes së kandidatëve brenda partisë.
Alimehmeti bëri me dije se aktualisht po shqyrtohet statuti i PD, një proces që pritet të përcaktojë nëse do të aplikohet sistemi i primareve apo një tjetër formë përzgjedhjeje.
“Për Tiranën duhet një vendim shumë politik dhe nuk do të jetë e thjeshtë”, u shpreh ai, duke theksuar se objektivi i tij ka qenë gjithmonë i njëjtë dhe mbetet i pandryshuar.







