Mazhoranca rrëzon ngritjen e komisioneve për ARRSH dhe AKSHI-n

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Përplasjet politike janë rikthyer në Kuvend, pasi Konferenca e Kryetarëve ka refuzuar kërkesat e opozitës për ngritjen e dy komisioneve hetimore.

Grupet parlamentare të PD dhe PL kishin propozuar hetime parlamentare mbi veprimtarinë e Autoritetit Rrugor Shqiptar për investimet në infrastrukturë rrugore, si dhe mbi funksionimin e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

Mazhoranca i rrëzoi të dyja kërkesat, duke argumentuar se çështjet në fjalë janë aktualisht objekt hetimi nga organet e drejtësisë, çka sipas saj e bën të panevojshëm ngritjen e komisioneve parlamentare në këtë fazë.

Ky qëndrim u kundërshtua ashpër nga kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, i cili theksoi se një argument i tillë nuk qëndron në raport me detyrimet kushtetuese të Kuvendit. Ai iu referua një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, sipas të cilit veprimtaria e institucioneve të tjera nuk mund të përdoret si arsye për të penguar kontrollin parlamentar.

Sipas Bardhit, opozita nuk synon të zëvendësojë organet e drejtësisë, por të verifikojë kontratat, të evidentojë problematika dhe të propozojë përmirësime ligjore në funksion të rritjes së transparencës dhe llogaridhënies.

Debati u shoqërua me tone të forta politike, ku Bardhi akuzoi mazhorancën për bllokim sistematik të mekanizmave parlamentarë. Ai ngriti shqetësimin se refuzimi i komisioneve hetimore, interpelancave, mocioneve me debat dhe amendamenteve, e zbeh rolin e opozitës në jetën parlamentare.

“Nëse çdo kërkesë e opozitës rrëzohet për arsye politike, atëherë nuk mund të flasim për parlamentarizëm funksional”, u shpreh ai, duke vënë në pikëpyetje rolin e deputetëve opozitarë në kushtet aktuale.

Publikuar nga Publik Media