Tensionet mes fermerëve janë përshkallëzuar pas vendimit për heqjen e subvencionit të naftës, duke nxjerrë në pah përçarje të forta edhe brenda vetë komunitetit bujqësor. Situata u acarua sidomos pas një takimi mes disa përfaqësuesve të fermerëve dhe zyrtarëve të qeverisë, çka solli përballje të drejtpërdrejta me protestuesit që vijonin tubimin përpara Ministrisë së Bujqësisë.
Ata që kishin marrë pjesë në takim u vunë përballë një vale kritikash dhe akuzash nga fermerët e tjerë, të cilët e konsideruan të papranueshme dakordësinë për kompensimin e propozuar. Shuma prej 120 mijë lekësh të vjetra për krerë u cilësua si e pamjaftueshme dhe larg realitetit të kostove që përballon sot bujqësia.
Debati mes tyre u zhvillua me tone të forta dhe pa filtra, duke reflektuar zhgënjimin dhe presionin ekonomik që po ndjejnë fermerët në terren.
Pjesë nga diskutimi mes fermerëve:
Fermerja: Unë ty s’të njoh… atëherë çfarë premtimesh u dha?
Fermeri (ishte pjesë e takimit me ministrat): Nafta…
Fermerja: Sa është për krerë?
Fermeri: 120 mijë lekë të vjetra për lopë
Fermerja: Ça është kjo 120 mijë lekë të vjetra për lopë?
Fermeri: Tani çfarë të bëjmë, ne nuk e ndryshojmë dot
Fermerja: Zbrit poshtë të pështyj surratit, thuaji. Zbrit poshtë, ytan.
Fermeri: Çfarë t’ju them unë? Unë jam si ju
Fermerja: Pse pranove?
Fermeri: Ishim 10 veta.
Fermerja: Pse nuk është lufta për rajonin? Nuk dua 120 mijë lekë. Nuk mban më, nuk mban më o vëlla.
Fermeri: Nëse nuk i mbajnë premtimet do vijojmë sërish.
Fermerja: Një lindje lope do 5000 lekë veterineri, një sëmundje 100 mijë lekë, këta na japin 120 mijë lekë. Me kë tallen?
Fermeri: Të lutem…
Përplasja verbale tregon qartë nivelin e pakënaqësisë në rritje, ku shumë fermerë ndihen të papërfaqësuar dhe të lënë jashtë vendimmarrjes. Në thelb të debatit mbetet një pyetje e madhe: a mjafton skema e re për të përballuar realitetin e vështirë ekonomik të bujqësisë sot?







