Një aksident tragjik rrugor i ka marrë jetën një të riu në orët e para të mëngjesit në Vlorë.
Viktima është identifikuar si 24-vjeçari Albi Hoxha, i cili po drejtonte automjetin e tij me targa AB009GN. Ngjarja ndodhi rreth orës 03:00 në mbikalimin e Novoselës, në aksin rrugor drejt fshatit Akërni.
Sipas të dhënave mediatike, i riu ka humbur kontrollin e mjetit, duke u përplasur me barrierat anësore të rrugës. Përplasja ka qenë jashtëzakonisht e fortë, aq sa trupi i viktimës është gjetur rreth 30 metra larg vendit të impaktit, çka tregon për një goditje me intensitet të lartë.
Nga këqyrja e vendngjarjes dyshohet se automjeti po lëvizte me shpejtësi shumë të lartë. Burime bëjnë me dije se shpejtësia mund të ketë kaluar mbi 200 km/h, faktor që dyshohet se ka qenë përcaktues në fatalitetin e aksidentit.
Autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht shkaqet dhe rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë, që i mori jetën të riut nga Fier.
Ngushëllime familjes Hoxha në këtë moment të vështirë.







