Investigim/ Ron Yeffet në vilë qeveritare, akuzat për mashtrime

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Lidhja me skema fitimi nga pasuritë publike

Një personazh i diskutueshëm, i identifikuar si Ron Yeffet, rezulton të ketë akses në nivelet më të larta të pushtetit, ndërsa sipas denoncimeve dhe të dhënave të publikuara, ai qëndron në vila qeveritare në zonën e ish-Bllokut dhe prezantohet si ndërmjetës me ndikim në vendimmarrje.

Sipas burimeve, Yeffet është shpallur non grata në disa vende dhe rezulton nën hetim në juridiksione të ndryshme, përfshirë dyshime për mashtrim dhe përfshirje në aktivitete të lidhura me industrinë e armëve.

Në Shqipëri, ai dyshohet se operon si sekser për përfitimin e kontratave shtetërore, pronave publike dhe statuseve të investitorëve strategjikë, duke ndërmjetësuar për një rrjet biznesmenësh vendas dhe të huaj.

Disa biznesmenë shqiptarë pretendojnë se janë mashtruar me miliona euro, pasi u janë premtuar tendera, leje ndërtimi dhe koncesione përmes lidhjeve të supozuara me pushtetin.

Emri i Yeffet lidhet me një rrjet kompanish në fusha të ndryshme, nga industria e armëve dhe energjia, deri tek call center-at, të cilat sipas hetimeve ndërkombëtare dyshohet se kanë përfituar përmes skemave mashtruese ndaj qytetarëve europianë.

Në një rast të veçantë, ai rezulton i përfshirë në një transaksion të dyshimtë për blerjen e aksioneve të një kompanie shqiptare për një vlerë simbolike, e cila më pas u përfshi në një projekt të përbashkët me një kompani shtetërore në sektorin e mbrojtjes.

Ky projekt lidhet me krijimin e një strukture që synon furnizimin e institucioneve të sigurisë me automjete të specializuara, një treg me vlerë të konsiderueshme financiare.

Paralelisht, në nivel ndërkombëtar, Yeffet rezulton të jetë hetuar për marrëveshje të dyshimta për përvetësim pronash shtetërore, ndërsa tentativa të ngjashme janë raportuar edhe në Shqipëri, përfshirë projekte mbi prona publike dhe territor diplomatik.

Rasti ngre pikëpyetje serioze mbi rolin e ndërmjetësve informalë në ekonominë dhe vendimmarrjen publike, si dhe mbi kontrollin e pasurive shtetërore dhe procedurave strategjike.

Deri në këtë moment, nuk ka reagim zyrtar nga institucionet shqiptare lidhur me këto pretendime.

Publikuar nga Publik Media