GJKKO dënon me 11 vjet burg Rezart Taçin

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Biznesmeni u shpall fajtor për pastrim parash dhe grup kriminal

18.3 mln euro të lidhura me Cosa Nostra konfiskohen nga autoritetet shqiptare

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar me 11 vite burg biznesmenin Rezart Taçi, i akuzuar për përfshirje në një skemë pastrimi parash që lidhet me mafian italiane Cosa Nostra.

Gjykata ka vendosur gjithashtu konfiskimin e 18.3 milionë eurove të depozituara në banka shqiptare nga shtetas italianë të dyshuar, fonde që sipas hetimeve do të pastroheshin përmes transaksioneve në kompani të sektorit të naftës.

Taçi u gjykua në mungesë, pasi ndodhet në arrati që prej vitit 2021, dhe u shpall fajtor për veprat penale “pastrim parash” dhe “grup i strukturuar kriminal”.

Ndërkohë, SPAK ka veçuar çështjen për katër shtetas italianë – Francesco Zummo, Ignazio Zumo, Fabio Petruzzella dhe Daniele Cestagalli – duke e dërguar për gjykim në Itali, ku procesi vijon.

Shuma prej rreth 18.4 milionë eurosh u bllokua fillimisht në një bankë në Shqipëri në nëntor 2021 dhe më pas u konfiskua.

Sipas hetimeve të SPAK, paratë do të qarkullonin në disa banka në vende të ndryshme, ndërsa Rezart Taçi do të përfitonte përqindje nga operacioni i pastrimit.

Po ashtu, rezulton se Artur Balla dhe Bledar Lilo kanë pasur rol aktiv në ndihmën ndaj shtetasve italianë për hapjen e llogarive bankare dhe kryerjen e transfertave të dyshuara për pastrim parash.

Publikuar nga Publik Media