Arrestohen babë e bir në Shkodër, mbollën ‘kënetën’ me kanabis

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Një tjetër tentativë për kultivimin e bimëve narkotike është goditur nga policia në qarkun e Shkodër, në kuadër të operacionit të koduar “Faza e parë”, që po zhvillohet në të gjithë territorin.

Gjatë kontrolleve të shtuara në terren, shërbimet e Policisë ndërhynë në fshatin Mali i Gjymtit, ku në zonën e njohur si “Këneta”, në njësinë administrative Dajç, u zbulua një parcelë me fidanë të dyshuar kanabisi të sapombjellë.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, u arrestuan në flagrancë dy shtetas, babë e bir, të identifikuar me inicialet P. D., 60 vjeç dhe A. D., 41 vjeç, banues në të njëjtën zonë. Sipas policisë, ata dyshohen se kishin kultivuar një numër të konsiderueshëm bimësh narkotike.

Fidanët e dyshuar u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, ndërsa hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht këtë aktivitet të paligjshëm dhe për të identifikuar persona të tjerë të mundshëm të përfshirë.

Operacioni antikanabis “Faza e parë” po zbatohet në shkallë qarku, me fokus goditjen e rasteve që në fazat e hershme të kultivimit, me qëllim parandalimin e përhapjes së kësaj veprimtarie kriminale.

Autoritetet bëjnë thirrje për bashkëpunim nga qytetarët, duke garantuar anonimat për çdo informacion që ndihmon në evidentimin e rasteve të ngjashme.

Publikuar nga Publik Media