Si call center-at zhvatin mijëra € dhe çojnë viktimat në dëshpërim!

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

“Me ne do fitosh 1 mln euro”, mashtrimi që po shkatërron Europën

Në botën e errët të call center-ave mashtruese ekziston një rregull i heshtur: identiteti i vërtetë nuk zbulohet kurrë. Në vend të tij përdoren emra të rremë dhe premtime joshëse si “sa më shumë investon, aq më shumë fiton”, për të tërhequr viktimat në skema që shpesh përfundojnë me pasoja shkatërruese.

Sipas National Crime Agency, e përfshirë në hetime ndërkombëtare ku marrin pjesë edhe autoritetet shqiptare, pjesa më e madhe e telefonatave mashtruese realizohet përmes numrave virtualë VOIP, duke e bërë të vështirë gjurmimin e autorëve.

Bëhet fjalë për një mekanizëm të sofistikuar që ndërthur manipulimin psikologjik me teknologjinë, duke çuar në shkatërrim financiar mijëra qytetarë europianë. Në disa raste ekstreme, siç tregojnë përgjimet e përfshira në hetime, viktimat kanë arritur deri në dëshpërim të thellë, duke shprehur edhe mendime për vetëvrasje.

Sipas SPAK, rastet e dokumentuara tregojnë një model të përsëritur zhvatjeje. Mashtruesit krijojnë besim fillestar, më pas kërkojnë pagesa të vazhdueshme nën justifikime të ndryshme si komisione apo taksa për “transferimin e fitimeve”.

Në një nga rastet e hetuara, një viktimë e identifikuar si Fabio i rrëfen një operatoreje të quajtur Irina se kishte humbur 31 mijë euro dhe nuk kishte më asnjë mundësi financiare. Pavarësisht gjendjes së tij të rëndë, ai u nxit të paguante tarifa të tjera shtesë, pa asnjë garanci për rikuperimin e parave.

“Fabio flet me Irinën, duke qarë dhe i ankohet për investimin në shumën 31 mijë euro dhe se nuk ka më para, pasi rrezikoi gjithçka që kishte dhe po mendon vetëvrasjen. Irina i thotë se duhet të paguajë një komision për transfertat, të barabartë me 4 500 euro. Fabio e informon se ka paguar 4 mijë eurot e fundit që kishte për komisionet e dy transfertave. Irina përgjigjet se atyre nuk u intereson nëse janë paratë e fundit, pasi Fabio duhet të paguajë edhe një taksë tjetër që duhet për bankën në Angli”.

Një tjetër dëshmi vjen nga Mateo Deruda, i cili rrëfen se humbi kursimet e tij dhe të bashkëshortes pasi u mashtrua nga persona që përdornin identitete të rreme evropiane. Ai tregon se mashtruesit krijuan një raport besimi duke mbledhur informacione personale dhe duke premtuar fitime të mëdha. Vetëm kur platforma online u zhduk, ai kuptoi se kishte rënë pre e një skeme të mirëorganizuar mashtrimi.

“Unë praktikisht kam humbur të gjitha kursimet e mia dhe të gruas. Nuk e dija se kush ishin personat që më kishin kontaktuar, nuk e dija që ishin shqiptarë dhe emrat ishin të ndryshëm: anglezë, gjermanë, skocezë dhe italianë. Nuk e kuptova që nuk ishin të tillë. Ishin shumë të shkathtë e të aftë për të kërkuar të dhëna personale e familjare (çfarë bëja, çfarë haja, ku shkoja, arsimin). I besoja dhe ata më jepnin mundësinë që të rritesha financiarisht duke ju dhënë para. Ju jepja informacione dhe mbi sportet që ndiqja, se më krijuan një ambient konfidencial. Më thoshin mos u shqetëso, se me ne do fitosh 1 milionë euro, dhe unë jepja paratë e mia. Fillova të kuptoj kur platforma online u zhduk dhe unë nuk pashë më asnjë.”

Ky fenomen po merr përmasa shqetësuese, duke dëshmuar se teknologjia, kur përdoret në mënyrë abuzive, mund të shndërrohet në një armë të fuqishme manipulimi dhe shkatërrimi financiar./TCH

Publikuar nga Publik Media