28 arrestime nga Milano në Bolzano
Që në orët e para të mëngjesit të 14 prillit, autoritetet italiane kanë vënë në zbatim një operacion të gjerë antidrogë, të koduar “Daku”, i cili ka çuar në ekzekutimin e 28 masave paraprake ndaj personave të dyshuar, pjesa më e madhe e të cilëve janë shtetas shqiptarë.
Aksioni është zhvilluar në disa provinca të Itali, nën koordinimin e strukturave Antimafia dhe njësive operacionale në Trento. Në operacion kanë marrë pjesë gjithashtu edhe struktura të specializuara nga Trieste, ndërsa fokusi kryesor i hetimeve ka qenë goditja e një rrjeti të trafikut të lëndëve narkotike në zonën e Bolzanos.
Sipas të dhënave paraprake, organizata dyshohet se ishte e përfshirë në trafikimin dhe shpërndarjen e drogës në disa zona të veriut të vendit. Operacioni vijon të jetë në zhvillim, ndërsa autoritetet pritet të publikojnë detaje të tjera në vijim.
Emërtimi “Daku” lidhet me një nofkë të përdorur mes anëtarëve të dyshuar të grupit, një term i përhapur mes tyre për t’iu referuar njëri-tjetrit.
Në operacion janë angazhuar njësi të shumta policore, përfshirë skuadrat operacionale të Belluno, Venecia, Verona dhe Vicenza, si dhe njësitë speciale SISCO dhe Shërbimi Qendror i Operacioneve. Mbështetje kanë dhënë edhe njësitë e parandalimit të krimit nga Milano dhe repartet me qen nga Ankona dhe Padova.
Nga 28 personat ndaj të cilëve janë marrë masa, 10 janë vendosur në burg, 8 në arrest shtëpie, ndërsa 10 të tjerë janë urdhëruar të qëndrojnë në banesat e tyre.
Hetimet dhe ndërhyrjet kanë përfshirë gjithashtu edhe provinca të tjera si Brescia, Monza dhe Brianza, Pordenone dhe Sondrio, duke treguar shtrirjen e gjerë të aktivitetit të dyshuar kriminal.







