4 persona përfundojnë në pranga, mes tyre edhe administratori i pallatit
Një ditë pas zjarrit të fuqishëm që përfshiu një pallat pranë “Farmacisë 10” në Tiranë, autoritetet kanë ndërmarrë veprimet e para konkrete, duke arrestuar katër persona dhe shpallur në kërkim një tjetër.
Sipas të dhënave nga hetimet paraprake, mes të arrestuarve ndodhet edhe menaxherja e marketit “Big Market”, i vendosur në katin e parë të godinës, nga ku dyshohet se ka nisur zjarri. Në pranga është vënë gjithashtu edhe administratori i pallatit.
Ndërkohë, në kërkim është shpallur ndërtuesi i kompleksit, biznesmeni Armand Lilo, ndaj të cilit rëndojnë dyshime që lidhen me përgjegjësitë përkatëse në këtë ngjarje të rëndë.
Bilanci i zjarrit është i konsiderueshëm: rreth 30 apartamente janë shkatërruar plotësisht, ndërsa 11 persona kanë marrë ndihmë mjekësore në spital për shkak të asfiksisë nga tymi. Fatmirësisht, nuk raportohet për humbje jete.
Paralelisht me hetimet e policisë, është ngritur edhe një grup pune nga Kryeinspektori i Përgjithshëm për të kryer verifikime të detajuara mbi shkaqet e zjarrit dhe respektimin e standardeve të sigurisë në objekt.
Ngjarja ka sjellë edhe reagimin e kryeministrit Edi Rama, i cili ka garantuar se pallati do të rindërtohet plotësisht nga vetë kompania ndërtuese. Ai theksoi se, edhe pse të dhënat paraprake nuk e lidhin zjarrin drejtpërdrejt me cilësinë e ndërtimit, përgjegjësia për rikuperimin e dëmit do të bjerë mbi ndërtuesin.
Rama nënvizoi se qytetarët e prekur nuk mund të përballen të vetëm me pasojat, ndërsa shtoi se barrën financiare nuk duhet ta mbajnë taksapaguesit, por mekanizmat e sigurimit dhe përgjegjësitë kontraktuale.







