E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Ndahet nga jeta një ndër figurat më të shquara të artit shqiptar
Lajme

Ndahet nga jeta një ndër figurat më të shquara të artit shqiptar

Piktori i njohur shqiptar Skënder Kamberi është ndarë nga jeta në moshën 87-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të pasur artistike dhe një emër të respektuar në historinë e artit pamor në vend.

Lajmi për ndarjen e tij nga jeta është shoqëruar me reagime nga figura të rëndësishme të jetës publike dhe kulturore. Ministri i Kulturës, Blendi Gonxhja, përmes një mesazhi ngushëllimi e cilësoi humbjen e tij si të madhe për kulturën kombëtare dhe për historinë e pikturës shqiptare.

“Ikja e tij shënon një humbje të madhe për kulturën kombëtare, për historinë e pikturës shqiptare dhe për të gjithë ata që e njohën dhe e vlerësuan artin e tij”, shprehet ministri, duke i përcjellë ngushëllime familjes, miqve dhe kolegëve të artistit.

Me një krijimtari që numëron mbi 1,400 vepra, Kamberi ka lënë gjurmë të thella në artin shqiptar përmes kompozimeve monumentale, portreteve dhe peizazheve, të cilat shquhen për forcën e tyre shprehëse dhe stilin unik.

Sipas ministrit, në çdo fazë të krijimtarisë së tij, nga periudha e realizmit socialist deri tek zhvillimet më të lira artistike pas viteve ’90, ai arriti të ruajë integritetin dhe të sfidojë kufijtë e kohës, duke kontribuar në zhvillimin e artit pamor shqiptar.

Një pjesë e rëndësishme e veprave të tij ruhen në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve, ndërsa shumë të tjera janë ekspozuar në skena ndërkombëtare, duke e bërë emrin e tij të njohur edhe përtej kufijve të Shqipërisë.

Skënder Kamberi do të kujtohet si një prej “penelave” më të spikatura të artit shqiptar, ndërsa vepra e tij do të vijojë të frymëzojë brezat e ardhshëm.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.