Për herë të dytë, Reni Ashiku është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme, në kuadër të hetimeve që lidhen me administrimin e fondeve të programit IPARD. Ai njihet si një nga bashkëpunëtorët e afërt të ish-ministres së Bujqësisë, Frida Krifca.
Ashiku mban funksionin e administratorit në shoqërinë “Converse Management Consulting (CMC)”, e cila dyshohet se ka pasur rol në proceset që po hetohen nga autoritetet.
Fokusi i hetimeve është menaxhimi dhe shpërndarja e fondeve të IPARD-it, një program i financuar nga Bashkimi Europian për të mbështetur zhvillimin e bujqësisë dhe zonave rurale në vendet përfituese.
Në këtë çështje është kallëzuar edhe ish-ministrja Frida Krifca, ndërsa organet e drejtësisë po vijojnë verifikimet për të përcaktuar përgjegjësitë konkrete të personave të përfshirë.
Deri më tani nuk janë bërë publike detaje të plota mbi rolin e secilit prej të hetuarve, ndërsa pritet që zhvillimet e mëtejshme të hedhin më shumë dritë mbi këtë dosje.







