Zjarri te pallati te “Arlis”, të miturit dogjën kartonat te Big Market?

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga zjarri i fuqishëm që përfshiu një pallat 12-katësh në kompleksin “Arlis”, pranë QSUT në Tiranë, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe panik tek banorët.

Sipas hetimeve paraprake, kamerat e sigurisë të bizneseve përreth kanë fiksuar momentet para shpërthimit të flakëve. Në pamje shfaqen pesë të mitur që qëndrojnë për disa minuta pas një marketi në zonë. Dy prej tyre largohen duke mbajtur një objekt të dyshimtë, i cili dyshohet të ketë qenë material i lehtë i ndezshëm, dhe e hedhin mbi disa kuti kartoni jashtë ambienteve, përpara se të largohen.

Vetëm pak minuta më pas, në të njëjtin vend shfaqet tym, i cili përhapet me shpejtësi dhe shndërrohet në flakë që kapin fasadën e pallatit. Për shkak të materialeve të përdorura në veshjen e jashtme të godinës, zjarri mori përmasa të menjëhershme, duke u përhapur me shpejtësi në katet e sipërme.

Hetuesit dyshojnë se zjarri mund të jetë shkaktuar nga pakujdesia, ndërsa po analizohen të gjitha rrethanat që ndikuan në përhapjen kaq të shpejtë të flakëve.

Në lidhje me këtë ngjarje, policia ka vënë në pranga katër persona: administratorin e kompleksit Agron Cara, inxhinierin Enver Ademi dhe administratorin e firmës së fasadës Altin Furtuna, të akuzuar për shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë. Gjithashtu, është arrestuar edhe menaxherja e marketit, Razie Sula, për shkatërrim prone nga pakujdesia dhe shkelje të rregullave në punë.

Ndërkohë, nën hetim janë vendosur edhe pronari i kompleksit, Armand Lilo, një person i kontraktuar për ndërtimin si dhe dy punonjëse të marketit. Autoritetet vijojnë verifikimet për të përcaktuar përgjegjësitë konkrete të secilit dhe për të zbardhur plotësisht dinamikën e ngjarjes.

Publikuar nga Publik Media