SPAK sekuestron 39 pasuri të Ergys Agasit dhe Ermal Beqirit!
Vila, toka, llogari bankare dhe jaht. Biznesmenët rrëmbenin dhe kërcënonin rivalët që të tërhiqeshin nga tenderat publikë
Vetëm Ergys Agasit i janë sekuestruar 29 pasuri të paluajtshme, përfshirë apartamente, vila dhe sipërfaqe toke në zona të ndryshme të Tiranës dhe Durrësit. Po ashtu, ndaj tij janë bllokuar shtatë llogari bankare, si dhe kompania “AE SOLUTION”.
Ndërkohë, për Ermal Beqirin, SPAK ka vendosur nën sekuestro 10 pasuri të paluajtshme, mes të cilave edhe një jaht luksoz. Po ashtu janë bllokuar llogaritë e kompanisë “Soft&Solution”, tetë automjete dhe llogaritë personale të vetë Beqirit.
Në kuadër të të njëjtit hetim, masa bllokuese janë vendosur edhe ndaj disa subjekteve tregtare. Konkretisht, fondet e kompanive “FIRST” të Gëzim Hoxhës, “Fasttech” dhe “Fasttech&Fresh” të Andis Papës, si dhe “Albascan” të Elision Jorgjit janë vendosur nën sekuestro.
Sipas hetimeve të prokurorisë, Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri dyshohet se ushtronin presion ndaj rivalëve, duke organizuar rrëmbime dhe duke i detyruar nën kërcënim të tërhiqeshin nga pjesëmarrja në tendera publikë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



