Aksioni për lojërat e fatit “i ha kokën” kreut të policisë Lezhë
Zhvillime të reja vijnë pas operacionit të fundit kundër lojërave të fatit në qarkun e Lezhës. Islor Islami ka dhënë dorëheqjen nga detyra si drejtor i Policisë Vendore, në vijim të zbulimit të disa ambienteve të përshtatura për aktivitete të paligjshme në zonat e Laçit dhe Milotit.
Largimi i tij vjen në një moment kur strukturat e rendit kanë intensifikuar kontrollet ndaj kësaj veprimtarie të ndaluar me ligj.
Dorëheqja pason ndërhyrjet e Policisë së Shtetit, të cilat çuan në zbulimin e disa ambienteve ku organizoheshin lojëra fati në mënyrë të kundërligjshme. Operacioni evidentoi funksionimin e këtyre aktiviteteve, në shkelje të hapur të legjislacionit në fuqi që ndalon bastet dhe lojërat e fatit në territorin shqiptar.
Ky zhvillim pritet të shoqërohet me masa të tjera administrative dhe hetimore, ndërsa autoritetet kanë paralajmëruar vijimin e aksioneve për goditjen e paligjshmërisë në këtë sektor.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



