Një ngjarje e rëndë është parandaluar pasditen e sotme në Tiranë, ku ndërhyrja e menjëhershme e efektivëve të Policisë Rrugore ka shmangur një akt ekstrem.
Sipas pamjeve të publikuara në rrjetet sociale nga faqja “Pisk”, një qytetare, e pozicionuar përpara Prokurorisë së Tiranës, dëgjohet duke paralajmëruar se do t’i vinte flakën vetes, ndërsa u kërkonte efektivëve të mos i afroheshin.
“Jo, mos më prekni me dorë, do të digjem”, dëgjohet të thotë ajo në video, duke krijuar një situatë të tensionuar në vendngjarje.
Në pamje shihet se efektivët i afrohen me kujdes qytetares dhe përpiqen ta qetësojnë, ndërsa situata duket se vihet nën kontroll pa pasoja të rënda.
Gjatë komunikimit me policinë, ajo ka shprehur edhe shqetësime personale, duke deklaruar: “Nuk më latë të bëj hajër në shtëpinë time, Policia e Kamzës tallet me mua”.
Deri në këto momente nuk ka një reagim zyrtar nga Policia e Shtetit lidhur me këtë incident, ndërsa pritet që në vijim të dalin më shumë detaje për rrethanat dhe motivet e kësaj ngjarjeje.