Si i nxorri ‘të palarat’ e Mirlinda Karçanajt shoferi ‘pentito’
SPAK zbulon pasuritë e fshehura të ish–drejtoreshës së AKSHI-t
Apartamente luksi në emër të të tjerëve
Një tjetër skandal i fortë ka dalë në dritë lidhur me ish-drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, e cila sipas hetimeve të SPAK rezulton të jetë pronare faktike e disa pasurive të paluajtshme me vlera të konsiderueshme në Tiranë, të regjistruara në emër të personave të tjerë.
Sipas të dhënave të dosjes hetimore, një nga provat kyçe është dëshmia e shoferit të saj, i cili ka treguar para prokurorëve mënyrën se si ka kuptuar se apartamenti ku e shoqëronte çdo ditë ishte në fakt pronë e Karçanajt.
Bëhet fjalë për një apartament luksoz në rrugën “Dervish Hima” në Tiranë, me sipërfaqe 203.3 m² dhe me një vlerë prej rreth 370 mijë eurosh. Sipas SPAK, kjo pasuri është blerë nga kompania “Fortis Beton Co”, ndërsa Karçanaj ka lidhur një kontratë qiraje me këtë shoqëri në shkurt të vitit 2025, duke jetuar aktualisht aty.
Megjithatë, hetimet kanë zbuluar se ajo e ka përdorur këtë apartament që përpara nënshkrimit të kontratës, çka ngre dyshime të forta se marrëveshja e qirasë është fiktive dhe është përdorur për të fshehur pronësinë reale.
Dëshmia e shoferit Florjan Bylyku hedh më shumë dritë mbi lëvizjet e saj. Ai ka deklaruar se që prej vitit 2019, Karçanaj ka ndërruar disa banesa me qira, ndërsa në fund të vitit 2024 është zhvendosur pranë stadiumit “Air Albania”, ku ai vetë ka transportuar sendet personale të saj.
Në një tjetër rast, hetimet zbulojnë një skemë të dyshimtë edhe për një apartament në rrugën e Kavajës. Fillimisht, kjo pasuri është blerë nga shtetasi Rafael Bistri për rreth 78 mijë euro, përmes dy kontratave huaje me kompani dhe individë të lidhur me persona nën hetim.
Më pas, prona është kaluar në disa duar brenda një periudhe të shkurtër kohore, derisa në vitin 2019 përfundon në pronësi të nënës së Karçanajt, Gjinovefa Karçanaj, për një vlerë dukshëm më të ulët – rreth 50 mijë euro.
Sipas SPAK, vlera reale e këtij transaksioni dyshohet të ketë qenë rreth 60 mijë euro, ndërsa diferenca dhe mënyra e pagesës “cash” ngre dyshime të forta për burime të paligjshme financiare.
Prokuroria e Posaçme thekson se këto pasuri dyshohet të jenë produkt i korrupsionit dhe aktiviteteve kriminale, të lidhura me funksionin e mëparshëm të Karçanajt në krye të AKSHI-t.
Hetimet vijojnë, ndërsa rasti pritet të zbulojë më tej një rrjet të ndërlikuar transaksionesh dhe pronësish të fshehura.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



