U vra në Suedi, trupi i të riut nga Fieri mbërrin te familjarët
Trupi i 21-vjeçarit shqiptar, Mateo Llupi, i cili humbi jetën tragjikisht më 14 prill në Helsingborg, është kthyer në Shqipëri.
I riu, me origjinë nga Fier dhe prej vitesh banues në Suedi, do të përcillet për në banesën e fundit ditën e premte. Ndërkohë, familjarët kanë hapur dyert e mortit për të pritur ngushëllimet nga të afërm dhe miq.
Ngjarja e rëndë ndodhi pak para mesnatës, kur Mateo u qëllua me armë zjarri në një parking pranë një ndërtese. Gjatë sulmit mbeti e plagosur edhe një vajzë rreth 25 vjeçe që ndodhej me të. Ajo iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe ndodhet në gjendje serioze, por të stabilizuar, nën kujdesin e mjekëve.
Në lidhje me krimin, policia suedeze ka arrestuar një person, megjithatë autoritetet sqarojnë se ai nuk dyshohet të jetë autori i drejtpërdrejtë i vrasjes. Prokurori Anders Svensson ka theksuar se hetimet po vijojnë me intensitet të lartë dhe se çështja mbetet ende e hapur.
Sipas raportimeve të mediave suedeze, në vendngjarje janë gjetur prova që lidhen me një automjet, ndërsa dëshmitarë okularë kanë deklaruar se një furgon gri u largua me shpejtësi menjëherë pas të shtënave, duke ngritur dyshime për përfshirjen e më shumë se një personi.
Po ashtu, burime mediatike bëjnë me dije se viktima ishte i njohur për policinë dhe dyshohet të ketë pasur lidhje me rrjete kriminale në zonën e Helsingborgut. Një nga pistat kryesore të hetimit mbetet ajo e konflikteve mes grupeve të drogës.
Ndërkohë, autoritetet suedeze vijojnë punën për të hedhur dritë të plotë mbi rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë dhe për të identifikuar autorët.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



