Vrasja e Endri Goxhajt, Gjykata liron nga qelia të arrestuarit
Gjykata e Shkallës së Parë në Gjirokastër ka vendosur ndryshimin e masës së sigurisë për tre personat e arrestuar në lidhje me vrasjen e 30-vjeçarit Endri Goxhaj, ngjarje e ndodhur më 21 prill në Memaliaj. Nga masa e arrestit me burg, ata janë lënë në “arrest shtëpie”, duke vijuar të hetohen në kushte më të lehta sigurie.
Të përfshirë në këtë çështje janë Dani Nela dhe Aldo Kalemi, të cilët akuzohen për “vrasje me dashje”, kryer në bashkëpunim, si dhe për “mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve shpërthyese dhe municionit”. Ndërkohë, Ermal Mataj dyshohet për ndërhyrje që pengojnë zbardhjen e plotë të së vërtetës, çka ka çuar në arrestimin e tij në kuadër të hetimeve.
Pavarësisht dyshimeve të ngritura nga organet e hetimit, gjykata ka vlerësuar se në këtë fazë të procesit, masa e “arrestit në shtëpi” është e mjaftueshme për të garantuar vijimin e procedurave ligjore ndaj tyre.
Ndërkohë, hetimet për ngjarjen vijojnë, ndërsa dy persona të tjerë, Donaldo Nela dhe Marioldo Nela, janë shpallur në kërkim nga autoritetet. Ata dyshohen për përfshirje të drejtpërdrejtë në krim dhe akuzohen për “vrasje me dashje”.
Ngjarja e rëndë në Memaliaj ka rikthyer vëmendjen te siguria publike dhe reagimi i institucioneve të drejtësisë, ndërsa pritet që zhvillimet e mëtejshme hetimore të hedhin më shumë dritë mbi rrethanat dhe përgjegjësit e plotë të kësaj vrasjeje.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



