Dom Gjergj Meta, prifti që “thyen” tabutë dhe ndërton ura
Të njohësh Dom Gjergj Metën do të thotë të takosh një klerik që sfidon përkufizimet tradicionale. Edhe pse mban koletin e bardhë, ai nuk mbetet i mbyllur brenda mureve të kishës; ai është një kërkues i palodhur në biblioteka, një zë aktiv në mediat sociale dhe një komunikues i shkëlqyer në studiot televizive.
Në rrugëtimin e tij, ai ka dëshmuar se mund të jesh konservator në mendim, por liberal dhe përqafues në komunikim. Dom Gjergji është prifti që nuk i trembet temave të nxehta – nga kriza e familjes te martesat e të njëjtës gjini – duke mbrojtur gjithmonë parimin se ligji nuk duhet të diskriminojë dhe se njeriu duhet vënë para çdo gjykimi moral.
Ajo që e bën vërtet unik është filozofia e tij e bashkëjetesës. Ai ka deklaruar hapur se preferon të jetojë me fqinjin e tij mysliman me të cilin është rritur, sesa me një bashkëbesimtar evropian që nuk e njeh realitetin tonë. Ky është Gjergj Meta: një pikëtakimi mes religjiozes dhe sociales, një njeri që beson se “të dëgjosh tjetrin” është sekreti i një shoqërie të shëndoshë.
Në këtë jubile të artë të 50-vjetorit tënd, dëshiroj të të shpreh vlerësimin tim më të lartë për gjithçka që përfaqëson. Një gjysmë shekulli jetë, ku gjysma e saj i është dedikuar pa rezervë shërbimit ndaj njerëzve, të ka bërë jo vetëm një udhëheqës shpirtëror, por një Atë, Vëlla dhe Mik për çdo shqiptar.
Stili yt i thjeshtë dhe i vërtetë është një frymëzim për të gjithë ne që besojmë te dialogu dhe mirëkuptimi.
Faleminderit që je një dëshmi e gjallë, duke qëndruar pranë atyre më në nevojë dhe duke ndërtuar ura aty ku të tjerët shohin mure.
Uroj që udhëtimi yt të jetë i gjatë dhe gjithnjë i pasur me dashurinë e njerëzve që të rrethojnë.
“Zoti të bekoftë e të ruajtë”
Me respekt,
Naim Noka
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



