E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
“Patologjia e Pushtetit Shqiptar” dhe lopësimi në ballkonin e qeverisë Rama
Lajme

“Patologjia e Pushtetit Shqiptar” dhe lopësimi në ballkonin e qeverisë Rama

Diagnoza e Fan Nolit sot, pas 100 viteve, duket më aktuale se kurrë ndonjëherë për kombin tonë.
Në vitin 1926, Fan Noli e tha pa u dridhur: “Në Shqipëri, karakteret lopësohen.” Një fjali. Një diagnozë. Një shekull i tërë i shpjeguar për patologjinë e pushtetit.

Sot shan. Nesër duartroket.
Sot kërcënon. Nesër përkulet.
Sot mallkon. Nesër lavdëron.
Kjo nuk është thjesht hipokrizi. Kjo është lopësim karakteri.

Ai përshkroi njeriun që sot e sheh trim të çartun, me grusht në ajër, dhe nesër e gjen të përkulur, duke ia lëpirë duart të njëjtit armik që dje betohej se do ta shkatërronte. A nuk ka ndodhur kështu që nga koha , Zogut, diktatorit Hoxha, Berishës, Nanos, Ramës, Metës, e të tjerë e të tjerë?
Në këtë vend, armiku nuk mposhtet, i shërbehet. A nuk po ndodh sot ditën për diell? Parimet nuk mbrohen, shiten më lirë se lulelakrat. Bindjet nuk mbahen, ndërrohen sipas pushtetit. A nuk është bërë normë jetike në qeverinë e sulltanit Rama?
Noli nuk fliste për frikën. As për zgjuarsinë. Fliste për një sëmundje më të thellë: mungesën e shtyllës kurrizore morale. Dhe kjo sëmundje nuk është e vjetër. Është këtu. Sot. Në politikë mungesa e shtyllës kurrizore quhet karrierë. A nuk ndodh në media? Shikoni çfarë lëtyrllëku përhapet në eter nga mediat qeveritare dhe të blera? Në shoqërinë e sotme sistemi i vlerave është “mos o Zot”, se nuk ka më keq! Noli nuk na ofendoi, por na paralajmëroi se rënia e kombit ishte në dorën tonë. A nuk jemi të fundit në çdo statistikë ndërkombëtare? A nuk jemi kombi më i varfër në Europë? A kemi demokraci dhe shtet dinjitoz? Përgjigjja është: Jo dhe jo!
Sepse kombet nuk dobësohen dhe bien vetëm nga armiqtë. Bien kur njerëzit si ne humbin turpin më shpejt se frikën dhe karakteri bëhet mall i konsumueshëm.

Dhe pyetja e Nolit mbetet fiks një shekull më vonë: A kemi ndryshuar apo thjesht kemi përsosur lopësimin?

“Patologjia e Pushtetit Shqiptar”

Nëse i kthehemi historisë së këtyre 100 viteve, “lopësimi” nuk ka qenë thjesht një fenomen sporadik, por një strategji mbijetese që ka krijuar simptoma kronike në trupin e shtetit. Shqiptarët e kanë përsosur në 100 vite lopësimin.

Simptomat e Politikës Shqiptare

1. Metamorfoza e “Trimave të Çartun” (1924–1939)
Noli e pikasi sëmundjen që në zanafillë. Simptoma e parë është mungesa e koherencës. Historia shqiptare ka parë njerëz që u betuan për Republikën dhe u gdhinë shërbëtorë të Monarkisë; njerëz që e quanin Ahmet Zogun “tradhtar” dhe brenda natës u bënë ministra të tij. Ky është momenti kur karakteri fillon të “dhjamoset” – humbet muskulin e parimit dhe fiton dhjamin e interesit.

1. Lopësimi Ideologjik: Sëmundja e Gëlltitjes (1944–1990)

Gjatë diktaturës, “lopësimi” u bë kolektiv. Simptoma këtu ishte turtullimi i turmës. Shqiptarët, nga një popull kryengritës, u kthyen në një turmë që duartrokiste “Lopën e Madhe” në ballkonin e diktaturës se Enver Hoxhës edhe kur barku ishte bosh.

Simptoma: Lavdërimi i xhelatit.

Rezultati: Humbja e plotë e “shtyllës kurrizore” për shkak të frikës, duke e kthyer bindjen në një instinkt thjesht biologjik për mbijetesë. A nuk janë shumica e qytetarëve tanë sot tashmë pensionstë që kanë në dorë fatin e votës?!. A nuk janë “patronazhistët” në çdo nivel të adminiatratës?

Në kemi përsosur edhe Sindroma e Ballkonit të Marquez-it.

Pas viteve ’90, “Lopa” e Marquez-it u instalua zyrtarisht në ballkonet e zyrave tona moderne. Tashmë nuk kemi më një diktator, por sulltan si Rama dje një kastë lopçarësh që ndërrojnë rolet:

Sot shahen, nesër puthen: Koalicionet “e pamundura” pas 20 vitesh fyerje personale janë prova e gjallë e Nolit.

A nuk i kemi parë koalicionet që në qeverinë e parë, Berisha me Gjinushin, më vonë Berisha-Meta, Rama-Meta, pa përmendur këto lopët e reja? Karakteri sot në të gjitha përfaqësimet politike, akademike dhe të influencuesve nuk ekziston; ekziston vetëm “të ngrënit” (qumështi i pushtetit).

Sot prevalon injoranca si meritokraci, prandaj sot kemi “Universitetin e Rroskovecit” që prodhon “doktorë” për inteligjencën artificiale si Zeqine Caushi, që shërbejnë si lopçarë tellallë në kuvend dhe meme në rrjet.

Lukunia e lopçarëve mediatikë, që nga televizionet kombëtare që kanë zaptuar frekuencat publike, e parfumosin Lopën e Ballkonit nga mëngjesi në darkë që ajo të mos vijë erë, pavarësisht “vendit plot me bajga” ku jetojmë.

Tragjedia jonë qëndron te kjo përzierje më e shëmtuar që na ka ndodhur. Ne kemi marrë nga Lindja adhurimin e lopës (kultin e individit, shenjtërimin e udhëheqësit kokëtrashë, mundësisht të jetë dhe psikopat) dhe kemi marrë nga Perëndimi terminologjinë (demokraci, integrim, veting), por pa i kuptuar dhe pa i dhënë shpirt asnjërës.

Në ballkonin e qeverisë shqiptare, Lopa nuk po kundron vetëm perëndimin e diellit, po kundron perëndimin e një kombi.

Kur karakteret lopësohen, politika pushon së qeni shërbim dhe kthehet në përtypje. Udhëheqësi përtypet, analisti përtypet dhe populli, në fund, përtyp mbetjet e asaj që dikur quhej dinjitet.

Prandaj sot ne jetojmë në një hapësirë ku mungesa e turpit ka mposhtur frikën, dhe ku “shtylla kurrizore” është zëvendësuar me një sistem tretës që mund të gëlltisë çdo lloj tradhtie, mjafton që grazhdi të jetë plot me tagji dhe meze!

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.