Aksioni anti-drogë në Elbasan, zbardhen disa emra të të arrestuarve
Një operacion i gjerë policor kundër trafikimit të lëndëve narkotike është finalizuar në Elbasan, duke çuar në arrestime të shumta dhe sekuestrime të konsiderueshme.
Aksioni, i koduar “Grupi”, u zhvillua nga strukturat e hetimit të narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan dhe me mbështetjen e Forcave Kombëtare të Sigurisë.
Nga hetimet disamujore, të ndjekura me metoda speciale, rezulton se aktiviteti kriminal shtrihej në disa qytete, përfshirë Elbasanin, Librazhd dhe Prrenjas, ku operonte një rrjet i organizuar për shpërndarjen e drogës.
Prokuroria ka lëshuar gjithsej 24 urdhra ndalimi, nga të cilët deri tani janë ekzekutuar 16. Tetë prej tyre janë realizuar gjatë operacionit të fundit, ndërsa pjesa tjetër gjatë hetimit njëvjeçar. Ndërkohë, vijon puna për kapjen e 8 personave të tjerë që nuk janë gjetur në banesat e tyre.
Mes të arrestuarve përmenden edhe disa emra konkretë, si Agron Biba, Rinor Hajdari, Indrit Shahinaj, Lulëzim Feta dhe Mynyr Çepi. Po ashtu, gjatë operacionit është arrestuar në flagrancë një person tjetër për veprimtari në fushën e narkotikëve dhe është kapur një shtetas i shpallur më herët në kërkim.
Gjatë ndërhyrjes, policia ka sekuestruar një sasi të konsiderueshme provash materiale: rreth 9 kilogramë kanabis të ndarë në doza për shitje, afërsisht 100 gramë kokainë, 5 peshore elektronike, 7 automjete dhe 17 telefona celularë. Gjithashtu, janë ekzekutuar 27 vendime gjykate për kontroll banesash dhe ambientesh të ndryshme.
Sipas autoriteteve, hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në rrjet. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
“Finalizohet operacioni policor i koduar “Grupi”, për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e trafikimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike në qarkun Elbasan.
Operacioni u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Elbasan, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, me mbështetjen e Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Fier.
Në kuadër të operacionit, nga Prokuroria Elbasan janë lëshuar gjithsej 24 urdhra ndalimi.
Ekzekutohen 16 urdhra ndalimi, (8 urdhra ndalimi janë ekzekutuar gjatë operacionit të sotëm dhe 8 urdhra ndalimi janë ekzekutuar gjatë periudhës hetimore njëvjeçare).
Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen edhe të 8 shtetasve të tjerë, të cilët gjatë operacionit nuk u gjetën në banesa.
Ndërkohë, gjatë operacionit të zhvilluar ditën e sotme, është kapur edhe 1 shtetas i shpallur në kërkim dhe është arrestuar në flagrancë një shtetas tjetër për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.
Sekuestrohen 9 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, një pjesë e ndarë në doza gati për shitje, rreth 100 gram kokainë, një pjesë gati për shitje, 5 peshore elektronike, 7 automjete dhe 17 aparate celularë.
Strukturat për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme të DVP Elbasan, në drejtimin e Prokurorisë, pas një hetimi të ndjekur me metoda speciale prej disa muajsh, finalizuan operacionin policor të koduar “Grupi”, që kishte në fokus goditjen e shtetasve të përfshirë në trafikimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike në qytetet Elbasan, Librazhd dhe Prrenjas.
Gjatë operacionit të zhvilluar mëngjesin e sotëm, u bë e mundur ekzekutimi i 8 urdhrave të ndalimit për shtetasit I. Sh., 38 vjeç; R. Z., 52 vjeç; G. Ç., 23 vjeç; A. B., 49 vjeç; N. S., 39 vjeç; L. F., 33 vjeç; J. I., 31 vjeç dhe M. Ç., 32 vjeç.
Gjithashtu, gjatë operacionit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit R. H., 39 vjeç, si dhe u kap shtetasi në kërkim P. Q., 54 vjeç, i shpallur në kërkim nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për veprën penale “Menaxhimi i mbetjeve”, kryer në bashkëpunim.
Gjithashtu, u ekzekutuan 27 vendime të Gjykatës për kontrolle banesash dhe ambientesh të ndryshme.
Strukturat e Hetimit të DVP Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë Elbasan, vijojnë punën për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, njoftoi policia.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



