Aksidenti tragjik në Durrës, zbulohet sa mund të dënohet autori
Avokati Ledio Braho ka reaguar lidhur me aksidentin tragjik të ndodhur një ditë më parë në Durrës, ku humbën jetën dy të mitur, duke ngritur njëkohësisht edhe shqetësime serioze për rolin e institucioneve në parandalimin e ngjarjes.
Në reagimin e tij publik, ai thekson se kuadri ligjor parashikon një dënim nga 5 deri në 20 vite burg për raste të tilla, ndërsa shton se, bazuar në rrethanat, ekziston një probabilitet i lartë që autori të përballet me dënimin maksimal.
“Marzhi i dënimit për ngjarjen në Durrës është nga 5 deri në 20 vjet burg, e më shumë se gjasë autori do të dënohet me maksimumin e dispozitës, por Policia e Shtetit ku ka qenë në parandalimin e kësaj ngjarjeje, që nga dëshmitë e banorëve të zonës, dukej që ishte e paralajmëruar?!” tha Braho.
Ai ndalet veçanërisht tek funksioni i policisë në komunitet, duke kujtuar se ligji për Policinë e Shtetit ka pësuar disa ndryshime gjatë dekadës së fundit dhe se ky model policimi konsiderohet themelor për parandalimin e krimeve. Megjithatë, sipas tij, mungesa e rezultateve konkrete tregon se ky mekanizëm nuk po funksionon siç duhet.
“Ligji për Policinë e Shtetit ka ndryshuar disa herë 10 vitet e fundit, madje janë miratuar dy ligje të reja gjatë 3 mandateve qeverisëse, dhe policimi në komunitet (community policing) është një nga bazat e funksionimit të Policisë për parandalimin e krimeve, por nga rezultatet duket qartë që nuk ka policim në komunitet, sepse po të kishte, të paktën kjo ngjarje kaq e rëndë do të ishte parandaluar,” u shpreh më tej Braho.
Në vijim, ai kritikon ashpër mënyrën e funksionimit të strukturave policore, duke nënvizuar se vëmendja shpesh përqendrohet në zhvillime të brendshme administrative, ndërkohë që mungon efektiviteti në terren.
“Me sa duket, Policia e Shtetit bën lajm vetëm për ndryshime drejtorësh dhe është shndërruar në polici lëvizëse vetëm për qoka,” tha ai.
Në fund të reagimit, avokati shpreh ngushëllimet për familjarët e viktimave, duke e cilësuar humbjen si të papërshkrueshme me fjalë.
“Ngushëllime familjarëve për këtë humbje kaq të madhe sa nuk mund të përshkruhet me fjalë,” përfundoi avokati Ledio Braho.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



