“Revanshi”/ GJKKO pranon gjykimin e shkurtuar për 6 të pandehur
Refuzohet për Marklen Hakën
Gjykata e Posaçme ka vendosur të pranojë kërkesën për gjykim të shkurtuar për gjashtë persona të përfshirë në dosjen e njohur si “Revanshi”, një nga hetimet më të bujshme ndaj grupeve kriminale në vend.
Të pandehurit që do të përfitojnë nga kjo procedurë janë Aldo Avdyli, Edson Jozwik, Henerigert Mitri, Altin Morina, Jozi Kraja dhe Durim Bami. Për ta, procesi do të vijojë me procedurë të përshpejtuar, e cila në rast shpalljeje fajtorë parashikon ulje të dënimit.
Ndërkohë, gjykata ka vendosur të veçojë çështjen ndaj Marklen Hakës nga pjesa tjetër e dosjes. Ai nuk do të gjykohet me procedurë të shkurtuar, por do të përballet me gjykim të zakonshëm, për shkak të akuzave më të rënda që rëndojnë ndaj tij.
Sipas vendimit, refuzimi i gjykimit të shkurtuar për Hakën lidhet me akuzën për “vrasje të mbetur në tentativë”, e kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, në dëm të Durim Bamit.
Seanca e radhës për këtë çështje është caktuar të mbahet më 20 maj, ndërsa procesi pritet të vijojë me shqyrtimin e provave dhe qëndrimeve të palëve.
Në fund të muajit prill, Prokuroria e Posaçme (SPAK) paraqiti pretencën për një prej fraksioneve të kësaj dosjeje, ku përfshihen edhe emra të njohur të botës së krimit si Emiljano Shullazi dhe Astrit Avdyli. Në total, organi i akuzës ka kërkuar dënime që kapin shifrën e 127 viteve burg.
Dosja “Revanshi” përfaqëson një hetim të gjerë që përfshin disa grupe kriminale aktive në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Të dyshuarit akuzohen për një sërë veprash të rënda penale, përfshirë tentativa vrasjesh, atentate të porositura, trafik të lëndëve narkotike dhe armëve, si dhe krijim dhe pjesëmarrje në organizata kriminale.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



