E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Tragjedia në Durrës, Hita kërkon ashpërsim të masave: Vrasjet rrugore janë krime
Lajme

Tragjedia në Durrës, Hita kërkon ashpërsim të masave: Vrasjet rrugore janë krime

Ngjarja tragjike në Durrës ka rikthyer në qendër të vëmendjes nivelin e sigurisë rrugore në vend, duke nxitur reagime edhe nga drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit. Drejtori i Përgjithshëm, Skënder Hita, e cilësoi aksidentin si një rast që jo vetëm ka tronditur opinionin publik, por edhe atë personalisht, ndërsa theksoi nevojën për masa më të forta ligjore.

Sipas tij, ngjarja në fjalë duhet të shërbejë si një sinjal alarmi për mënyrën se si trajtohen aksidentet rrugore në Shqipëri, duke i konsideruar ato në të njëjtin nivel serioziteti me krimet e tjera të rënda. Ai nënvizoi se verifikimet për këtë rast janë ende në proces, si në planin administrativ ashtu edhe në atë penal.

Hetimi i nisur nga strukturat përkatëse synon të analizojë në detaje veprimet e punonjësve të policisë në terren, për të kuptuar nëse janë ndjekur të gjitha procedurat dhe për të identifikuar çdo përgjegjësi të mundshme. Paralelisht, vijon edhe hetimi penal për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.

“Ishte një ngjarje shumë e rëndë që ka tronditur gjithë opinionin publik njëkohësisht edhe mua që ka tronditur shumë personalisht. Pezullimi i punonjësve të policisë ka të bëjë me verifikimin që po bën Drejtoria e Standardeve Profesionale për të parë hap pas hapi të gjithë procedurën se si vepruar punonjësit e policisë në atë zonë dhe për të parë dhe për të bërë më të mundur për sigurinë rrugore në komunitet. Akoma s’kemi bërë ndonjë përfundim mbi rezultatet e hetimit të drejtorisë së standardeve dhe hetimi vazhdon, hetimi administrativ vazhdon, por njëkohësisht edhe hetimi penal,” u shpreh Hita.

Kryepolici Hita vlerësoi se ka ardhur momenti për ndërhyrje konkrete në legjislacion. Ai theksoi se ndryshimet në Kodin Rrugor dhe në Kodin Penal janë të domosdoshme për të rritur nivelin e sigurisë për qytetarët.

Një nga pikat kryesore që ai ngriti ishte ashpërsimi i masave administrative, duke argumentuar se sanksionet aktuale shpesh janë të pamjaftueshme. Sipas tij, edhe shkelje të dukshme si parkimet e gabuara mund të kthehen në burim aksidentesh serioze, ndaj kërkohet rritje e ndëshkimeve për të parandaluar pasojat fatale.

Në të njëjtën linjë, ai theksoi se Policia e Shtetit do të ndërmarrë iniciativa konkrete për të propozuar ndryshime ligjore, me synim forcimin e sigurisë rrugore dhe mbrojtjen e jetës së qytetarëve.

“Ndryshimet në kodin rrugor apo në kodin penal patjetër që duan kohën e vetë edhe besoj që ka ardhur koha dhe është më se normale që të kemi ndërhyrje tillë. Rasti i fundit të tregojë më së miri që vrasjet rrugore janë ngjarje po aq të rënda sa një ngjarje tjetër kriminale. Kështu që në këtë kuadër përveçse këtyre masave duhet të shikojmë dhe të rrisim edhe pjesën tjetër për gjobat administrative pasi edhe për një parkim të gabuar që shpesh herë janë burim aksidenti dhe në ngjarje fatale masat ndëshkimore ne i kemi shumë të ulëta. Kështu që në këtë kuadër ne do bëjmë iniciativën tonë për të ndryshuar këto e përkatëse të kodit penal dhe kodit rrugor për të pasur sa më shumë siguri rrugore për të gjithë qytetarët dhe kalimtarët e rrugës,” shtoi më tej kreu i Policisë së Shtetit, Skënder Hita.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.