Pas ‘jehonës’ në madhe, Robert Ndrenika ‘lëshon’ Erion Veliajn
Aktori: Në ka vjedhur, le të marrë dënimin e merituar
Aktori i njohur Robert Ndrenika u kthye në shënjestër të diskutimeve gjatë seancës gjyqësore në Gjykatën Administrative, në të cilën kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka ngritur një padi ndaj prokurorit Ols Dado.
Sipas kritikëve, prania e Ndrenikës në këtë proces është parë si një keqpërdorim i figurës së tij publike, duke u konsideruar pjesë e një skenari të parapërgatitur, ku aktori puthi në ballë kryebashkiakun Veliaj. Pretendime të tilla lidhen edhe me raste të tjera të përmendura në përgjime, ku janë aluduar inskenime dhe sulme ndaj përfaqësuesve të drejtësisë.
I ftuar në emisionin “Kafe Shqeto”, Ndrenika u pyet nëse kishte dijeni për akuzat që rëndojnë mbi Veliajn, përfshirë abuzimin me detyrën.
Në përgjigjen e tij, aktori u shpreh: “Jo nuk i marr vesh akuzat di vetëm që ka punuar mirë. Ja lëmë gjykatës. Në ka vjedhur le të marrë dënimin e merituar”.
Ndërsa lidhur me deklaratën e komentuar “ç’të ka mbetur vij e bëj unë për ty”, Ndrenika sqaroi kontekstin në të cilën ai i ka thënë këto fjalë:
“Thënia është shqiptaro-turke. Që nga koha e Turqisë e zunë njërin që strehonte Mihal Gramenon dhe Çerçiz Topullin, këtë pasazh e ke të libri i Mihal Gramenos ‘Kryengritja shqiptare’. E zunë dhe e dënuan me burg në Kalanë e Gjirokastrës dhe vajti nipi i tij për ta bërë burgun. E thashë në kuptimin se më vjen keq për atë njeri”.
Ndërkohë, sipas burimeve për mediat, ndaj Erion Veliajt janë paraqitur një volum i madh provash nga prokuroria, që përfshijnë dhjetëra mijëra faqe dokumentacioni. Akuzat e ngritura përfshijnë korrupsion, shpërdorim detyre, pastrim të produkteve të veprës penale, fshehje të pasurisë dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli.
Në total, ndaj tij rëndojnë 13 akuza për 5 vepra të rënda penale. Ndërkohë, procesi në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vijuar me shtyrje të njëpasnjëshme të seancave.
Nga ana tjetër, Veliaj ka ndërmarrë edhe hapa ligjorë dhe publikë ndaj përfaqësuesve të drejtësisë, duke përfshirë padi dhe angazhimin e studiove ligjore ndërkombëtare, për të cilat raportohet se janë paguar shuma të konsiderueshme, me qëllim përgatitjen e raporteve që më pas dorëzohen pranë Departamentit të Drejtësisë në SHBA.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



