“Nuk jam o Niko…”, Manja përplaset me Peleshin në Kuvend
Kreu i Kuvendit nuk i jep fjalën ish-ministrit, opozita duartroket
Një episod i pazakontë u regjistrua në sallën e Kuvendit, ku përplasja këtë herë nuk erdhi mes mazhorancës dhe opozitës, por brenda vetë radhëve të shumicës. Diskutimi u zhvillua mes ish-ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, dhe kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, duke krijuar një moment tensioni të shoqëruar edhe me nota ironie.
Situata u ndez menjëherë pas përfundimit të fjalës së Sali Berishës, i cili gjatë diskutimit përmendi emrin e Manjës. Ministri kërkoi menjëherë të drejtën e replikës për të reaguar, por kërkesa e tij u refuzua nga drejtuesi i seancës.
Arsyeja e refuzimit lidhej me marrëveshjen paraprake mes grupeve parlamentare për kufizimin e kohës së diskutimeve në funksion të rezolutës për integrimin. Peleshi këmbënguli se nuk mund të bëheshin përjashtime nga rregulli i vendosur për minutazhin.
Ky shkëmbim replikash solli reagime të menjëhershme në sallë, ku deputetët e opozitës e pritën situatën me të qeshura dhe duartrokitje, duke e kthyer momentin në një episod me ngarkesë edhe humoristike.
Debati në sallë:
Peleshi: Zoti Manja nuk ka fjalë për procedurë, sepse jemi me minutazh të përcaktuar. Nuk ka as replikë dhe as procedurë se jemi me minutazh. Zoti Balla e ka fjalën
Manja: Më përmendi emrin…
Peleshi: Nuk mundemi, jemi me minutazh të përcaktuar. Në orën 16 duhet të mbarojnë të gjitha diskutimet
Manja: Ai të thotë ça të dojë… (nuk dëgjohet çfarë thotë më tej, pasi flet pa mikrofon)
“O Niko”… dëgjohet Manja nga salla
Peleshi: Unë nuk jam Niko, ju lutem
Manja: Ndjesë…
Peleshi: Zoti Manja, e thamë që në fillim, mos t’i ngelet hatri askujt, është me minutazh të përcaktuar, mos i ngelet hatri askujt
Manja: O zotëri…
Peleshi: Kur t’ju vijë radha do flisni
Manja: Ma jepni tani
Peleshi: Kur t’ju vijë radha do flisni 5 minuta
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



