Dosja ARRSH, dy ish-vartësit e Ballukut paraqiten në GJKKO
Dy ish-zyrtarë të lartë të sektorit energjetik dhe infrastrukturor, Gentjan Gjyli dhe Erald Elezi, janë paraqitur në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), në kuadër të shqyrtimit të dosjes së njohur si “ARRSH”.
Gjyli, i cili më herët ka drejtuar Autoritetin Rrugor Shqiptar, dhe Elezi, ish-drejtor i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, përballen me akuza që lidhen me shkeljen e barazisë në tendera. Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka kërkuar shpalljen fajtorë për të dy dhe dënimin e tyre me nga 1 vit e 6 muaj burg.
Në të njëjtën çështje është i përfshirë edhe ish-kreu i ARRSH-së, Evis Berberi, për të cilin SPAK ka kërkuar një dënim shumë më të rëndë, prej 10 vitesh burg. Ai akuzohet për korrupsion, pastrim parash dhe shkelje të barazisë në tendera.
Dosja ARRSH
Evis Berberi u arrestua më 14 mars 2024, pas hetimeve që e lidhin me një skemë të dyshuar abuzimi me tendera publikë me vlerë rreth 5 milionë euro. Sipas SPAK, gjatë kohës që mbante detyra të rëndësishme në administratë, ai ka ndikuar në procedura prokurimi në favor të kompanive të lidhura indirekt me të.
Hetimet kanë zbuluar se një pjesë e tenderave, me vlerë rreth 1.2 milionë euro, janë fituar nga kompania “DAAM”, e administruar zyrtarisht nga Valter Begaj, por që sipas prokurorëve dyshohet se kontrollohej në mënyrë të tërthortë nga vetë Berberi. Në një fazë të mëvonshme, kur ai drejtonte ARRSH-në, e njëjta kompani ka përfituar edhe tendera të tjerë me vlerë rreth 1 milionë euro.
Sipas hetimeve, kompania “DAAM” është përdorur si kanal për transferimin e shumave të konsiderueshme parash nga shoqëria “Net Group”, në pronësi të sipërmarrësit Begaj. Këto fonde dyshohet se janë përdorur për investime në pasuri të paluajtshme, duke ngritur dyshime të forta për pastrim parash.
Prokuroria thekson se këto transaksione përkojnë në kohë me shpalljen fituese të “Net Group” në disa tendera të zhvilluar nga institucionet që drejtoheshin nga Berberi, çka forcon dyshimet për një skemë të mirëorganizuar korruptive.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



