Apeli i GJKKO-së nxjerr të pafajshme Sonila Qaton e ARRSH-së
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka shpallur këtë të martë vendimin përfundimtar lidhur me dosjen e bujshme që përfshin ish-drejtoreshën e Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), Sonila Qato, si dhe disa ish-zyrtarë të tjerë.
Trupa gjykuese, e përbërë nga Iliriana Olldashi, Engert Pëllumbi dhe Tereza Merkaj, ka vendosur të ndryshojë pjesërisht vendimin e shkallës së parë për disa prej të pandehurve. Konkretisht, katër persona, mes tyre edhe Sonila Qato, janë shpallur të pafajshëm për akuzën e “shkeljes së barazisë në tenderë”, që lidhej me procedurat për ndërtimin e tunelit të Skërficës në vitin 2019.
Nga ana tjetër, Apeli ka lënë në fuqi pjesën tjetër të vendimit të mëparshëm, duke konfirmuar akuzat për falsifikim dokumentesh për gjashtë prej të përfshirëve në këtë çështje.
Në total, në këtë dosje të hetuar nga SPAK ishin marrë të pandehur 10 persona, përfshirë ish-zyrtarë dhe funksionarë publikë: Miranda Shkurti, Nikollaq Mihali, Admir Pahumi, Simon Prendi, Elona Gogo, Erdit Salillari, Sonila Qato, Arbër Troka, Almir Hoxhaj dhe Arjana Hasani.
Sipas akuzës, ata dyshohej se kishin favorizuar një kompani të caktuar në tenderin me vlerë rreth 19 milionë euro për ndërtimin e tunelit të Skërficës, pjesë e aksit rrugor Kardhiq–Delvinë.
Një pjesë e të pandehurve kishin marrë pafajësi edhe në shkallën e parë, ndërsa vendimi i Apelit vulos përfundimisht përgjegjësitë penale për secilin prej tyre në këtë proces gjyqësor.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



